Analisti Kai Weiss, i cili është edhe drejtues i byrosë së Hulumtimeve dhe Informimit në Qendrën Ekonomike Austriake, njëherësh edhe anëtar i bordit në Institutin “Fridrih Hajek”, ka publikuar një analizë për lirinë e shprehjes.

Përdhunimi dhe vrasja brutale e gazetares bullgare Viktoria Marinova, javën e kaluar, sipas Weiss shkaktoi tronditje në mbarë Evropën dhe në botë. Vrasja nuk është lidhur ende me punën e saj, por ajo ka lënë sërish pas një ndjenjë pafuqie, pasi është vetëm e fundit në një seri vrasjesh shqetësuese të gazetarëve në kontinent gjatë 2 viteve të fundit.

“Numri ka shkuar në 7 shtatë që nga fillimi i vitit 2017, teksa liria e shtypit duket gjithnjë e më shumë nën kërcënim. Së bashku me rastin e Marinovës, vrasjet e gazetarit sllovak Jan Kuçiak në shkurt 2018 dhe Dafne Karuana Galicias, gazetarja malteze e vrarë nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinën e saj në tetor 2017, kanë nxjerrë në pah rreziqet e të folurit të së vërtetës mbi pushtetin. Ajo që kanë të përbashkët këto vrasje dhe shumë nga kërcënimet e fundit ndaj gazetarëve është se ata gazetarë patën raportuar për korrupsionin dhe pastrimin e parave nga ana e politikanëve. Pak ditë më parë, Marinova paraqiti në emisionin e saj televiziv dëshmi për fondet e keqpërdorura të Bashkimit Evropian. Karuana Galicia kishte hetuar skandalin e “Panama Papers”, dhe mënyrën sesi politikanët e Maltës ishin të përfshirë në atë skandal. Ndërsa Kuçiak bëri kërkime mbi lidhjet midis partisë qeverisëse Smer-SD dhe mafies italiane, duke përfshirë lidhjet e mundshme me kryeministrin Robert Fiko. Pas vdekjes së Kuçiak, disa ministra sllovakë u detyruan të jepnin dorëheqjen, duke përfshirë përfundimisht vetë kreun e qeverisë. E gjithë kjo është thjesht maja e ajsbergut. Është shkruar shumë për median gjithnjë e më të monopolizuar hungareze pro Fidesz, partisë qeverisëse dhe me të drejtë, por vendet e tjera po ndjekin një rrugë të ngjashme”, thotë Weiss.

Për shembull, sipas tij, në Republikën Çeke, presidenti Millosh Zeman nxori një kallashnikov të rremë në një konferencë shtypi me fjalët “për gazetarët”, të shkruar në anë të tij.

“Në një moment tjetër, ai shprehu dëshirën e tij për të “likuiduar” gazetarët. Duket se armiqësia ndaj mediave, nuk është e kufizuar vetëm në Zyrën Ovale të presidentit amerikan Donald Trump”, thotë ai.

Në Indeksin e Lirisë së Shtypit të këtij viti nga Reporterët pa Kufij, 4 nga 5 rëniet më të mëdha në renditjen globale, i përkisnin vendeve evropiane. Dhe kjo është para se të mbërrinim tek çështja më e gjerë e sulmeve ndaj lirisë së fjalës, të ilustruar me ligjin e ri në Gjermani kundër ”gjuhës së urrejtjes”, që hyri në fuqi në fillim të këtij viti dhe që Britania e Madhe duket se dëshiron ta kopjojë.

Edhe BE-ja duket e vendosur të ndjekë këtë rrugë. Po javën që u vra Marinova, Vera Zhurova, Komisionere për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore, tha në një fjalim në Vjenë se BE-ja duhet “mbështesë një qasje evropiane ndaj mediave, mbi cilësinë dhe rregullimin e mençur”, duke argumentuar se puna e mediave duhet të monitorohet më gjerësisht, “sesa thjesht duke ndjekur ligjet e tregut”.

“Se kush do të vendosë se çfarë kuptohet me “cilësi”, është më pak e qartë, sipas Weiss, megjithëse mund të imagjinohet ngritja e disa komiteteve apo institucioneve të tjera në Bruksel.

Një mbështetës i Zhurovës, mund të jetë Presidenti i Komisionit Evropian, i cili i ka bërë të qarta pikëpamjet e tij mbi punën e mediave.

Duke qenë se ndjehet ende i ofenduar personalisht nga raportet mediatike në fillim të këtij viti, se ai po pi pak si tepër, Junker deklaroi kohët e fundit se “liria e shtypit ka gjithashtu kufijtë e saj” – në këtë rast një referencë ndaj gazetave britanike, që e bënë për ujë të ftohtë.

Në fakt, Junker u ankua se “shtypi britanik është i tillë, sa që nuk do të më mungojë” pas Brexit. Dhe kjo deklaratë u bë para se të përmendim paralajmërimin e lideri laburist britanik Jeremi Korbin se “ndryshimi do të vijë” edhe në shtypin britanik, nëse ai merr pushtetin.

“Fakti që Junker, Zhurova dhe një numër alarmant udhëheqësish evropianë autoritarë, duan t’u mbyllin gojën gazetarëve, është një argument i mirë për forcimin e lirisë së shtypit. Tek e fundit, liria e shtypit ekziston pikërisht që dikush të mund të thotë dhe të shkruajë mbi atë për të cilën nuk bie dakord me të tjerët, veçanërisht me elitën qeverisëse”, thotë Weiss.

Siç thotë ish-kongresmeni i SHBA-së, Ron Pol: “ne nuk kemi lirinë e fjalës për të folur për motin”. Përkundrazi, sipas Weiss, ne e gëzojmë atë “që të mund të themi disa gjëra shumë të diskutueshme”.

“Në një kohë kur demokracitë e supozuara liberale, po pengojnë gjithnjë e më shumë mendimet që janë të pakëndshme për të, duke i konsideruar si një “gjuhë urrejtjeje”, ose “lajme të rreme”, kur gazetarët kërcënohen shpesh nën kërcënimin e dhunës fizike, dhe kur zërat në të dyja anët po bëjnë thirrje për më shumë rregullim, në mos shtetëzim të mediave, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme sesa tani që të luftojmë. Është gjithashtu e domosdoshme të kujtohet, ajo që ka thënë babai i madh themelues amerikan Thomas Jeferson, kur u shpreh se “nëse do të më lihej mua në dorë të vendosja, nëse duam të kemi një qeveri pa gazeta, apo gazeta pa një qeveri, nuk do të hezitoja asnjë moment të preferoj këtë të fundit” – shton Weiss.

Kur vjen puna tek liria e shtypit dhe e fjalës sot, sipas tij, fati i gazetarëve si Viktoria Marinova është shumë më i rëndësishëm, sesa sedra e lënduar e njerëzve të gjithëpushtetshëm si Junker.