Në Bllacë përurohet muri përkujtimor i refugjatëve

Një grup i vogël njerëzish janë mbledhur të shtunën në Bllacë për inaugurimin e një muri përkujtimor kushtuar qindra mijëra shqiptarëve që ishin përzënë nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999.

Shkaku i kufizimeve pandemike, vetëm rreth 50 persona mund të merrnin pjesë në ceremoninë në kampin e dikurshëm të refugjatëve në Bllacë, afër kufirit me Maqedoninë e Veriut, ku dikur mbaheshin 440 mijë qytetarë që ikën nga represioni serb.

“Është ky muri i kujtimit tonë, që përfaqëson dhimbjen e 440.000 personave që kaluan këndej pari më 1999, pas krizës humanitare dhe ndërhyrjes së forcave progresive për ndaljen e shfarosjes së një popullsie të tërë”, ka thënë Jahja Lluka, përfaqësues i Shoqatës së Refugjatëve Shqiptarë.

Me këtë rast, u shpalos një mozaik i madh i Sherife Lutës, një refugjate që ushqente të bijën e saj, me mijëra njerëz që i ecnin pas. Fotografia e saj kishte bërë asokohe xhiron në botë.

Luta, tashmë 43-vjeçare, pjesëmarrëse në këtë ceremoni, e ka evokuar ditën kur “refugjatët ecnin të lodhur, pa ngrënë e pa pirë dhe unë me të bijën time, duke e ushqyer”.

Shumë nga refugjatët kishin udhëtuar me trena nga Kosova në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut dhe tre vagonë janë të stacionar në Bllacë për dy vjet.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Agron Dida, një nga refugjatët e asaj kohe. Ai ka kujtuar se udhëtimi nga Prishtina deri në Bllacë ishte i gjatë dhe se me të arritur aty kishte parë se situata ishte edhe më e rëndë.

“Udhëtimi prej Prishtinës deri këtu kishte zgjatë diku rreth 8 orë. Erdhëm në një situatë të dërmuar prej rrugës, dhe pamë se këtu është situatë shumë më e keqe, shumë më e rëndë. Njerëzit ishin vendosur në hapësirë të hapur, pa kurrfarë mbrojtje”, ka kujtuar ai për AP-në.