Ndërmarrja që menaxhon Pishinën e Gërmisë, reagon pas lajmit se stafi mjekësor nuk ishte në pishinë

Gjatë ditës së sotme një grua ka pësuar sulm epileptik në Pishinën e Gërmisë.

Sipas qytetarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes, stafi mjekësor nuk ka qenë prezent në pishinë kur ka ndodhur ngjarja.

Por, këto raportime i ka demantuar kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica, i cili në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se stafi mjekësor ka reaguar menjëherë.

“Nuk është aspak e vërtetë ajo. Gruaja në fjalë ka qenë në qoshin e pishinës kur ka pësuar sulm epileptik, që i kishte ndodhur edhe më herët dhe është e rrezikshme edhe me shku në pishinë dhe menjëherë kanë reaguar së pari shpëtimtarët në vendin e ngjarjes, e kanë nxjerrë nga uji dhe kanë reaguar stafi mjekësor. Stafi mjekësor është gjithmonë aty, e kanë marrë e kanë dërgu për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Llapashtica.

Reagimi i Llapashticës vjen pas lajmit se stafi mjekësor nuk ka qenë prezent në Pishinën e Gërmisë në momentin kur gruaja në fjalë kishte pasur sulm epileptik.

Sipas raportimeve, qytetares i kishte dhënë ndihmën e parë një infermiere e përgjithshme që ka rastisur të jetë në pishinë, por këto raportime janë hedhur poshtë nga kryeshefi i “Sport Marketing”, ndërmarrje kjo që menaxhon Pishinën e Gërmisë.