Nata e shtrigave apo festë me natyrën, çka është Halloween në sytë e një fotografi?

Tërë bota e njeh si Halloween. Dita e fundit e tetorit, është dita e të frikshmes, e shpirtrave e maskimeve, e drithërimave.

E shqipëruar nga Halloween në “nata e shtrigave”, kjo datë sjellë në mesin tonë mbrëmje me kostume nga personazhet më kontraverse, por në fund të ditës, ka vetëm një qëllim: të dukemi sa më të shëmtuar dhe të frikshëm. Mirëpo, s’ka të bëjë asgjë me shtrigat.

Por çka në fakt është “nata e shtrigave”?

Halloween mendohet ta ketë origjinën në festën Samhain të popullit keltik (lexo “celtic people” në anglisht), që ka jetuar para Lindjes së Krishtit dhe tashmë janë zhdukur.

Keltët besonin se të vdekurit mund të ecnin në mes të gjallëve, dhe gjatë Samhain’it, të gjallët mund t’i vizitonin të vdekurit. Ata visheshin me kostume, në mënyrë që shpirtrat e të vdekurve t’i ngatërronin të gjallët në mesin e tyre dhe t’i linin rehat.

Meqë keltët ishin popull animist (besimi se objektet në natyrë kanë shpirt), ata gjatë kësaj feste bëheshin një edhe me natyrën.

Nata e 31 tetorit dhe fillimi i nëntorit, për keltët shënonte fundin e verës dhe ata mblidheshin të gjithë bashkë për të festuar dhe grumbullonin të gjitha të korrat e vjeshtës. Pra Halloween, ka të bëjë edhe me ndërrimin e stinëve, prandaj s’është e domosdoshme të jetë festë e frikshme.

Halloween së fundmi është shndërruar edhe në një festë komerciale, pasi që kompani të industrisë së veshjeve maskuese dhe të produkteve kozmetike të grimimit, për çdo vit sheshin me miliona produkte për njerëzit që u pëlqen të jenë pjesë e festës në mënyrë të veçantë.

Mirëpo, fotografi kosovar Beni Cufi që për çdo vit realizon projekt me set fotografish për Halloween, kësaj radhe ka zgjedhur metodën keltike të celebrimit të kësaj feste që cilësohet të jetë pagane.

Projekti i tij për 31 tetorin, ka të bëjë vetëm me natyrën e gjallë, kalimin e stinëve tamam sikurse në festën Samhain.

Ai ka realizuar disa imazhe përmes të cilave paraqet kuptimin e vërtetë të festës, e cila në kohën që po e jetojmë, ka marrë përmasa të gjera por që ka pësuar transformim të madh nga ajo origjinalja.

Subjekti i Cufit, është i mbështjellë me gjethe pemësh të gjalla të cilat paraqesin mbarimin e vjeshtës. Ky subjekt, bëhet një me natyrën dhe imazhet prezantojnë origjinalitetin e Halloween apo “Natës së Shtrigave”.