Nata e ëndërruar e 16-vjeçarit Fati

Ansu Fati pati një natë të ëndërruar të shtunën në Camp Nou, duke nisur nga goli, asisti dhe te duartrokitjet e pareshtura që i mori.

Trajneri Ernesto Valverde vendosi t’ia besojë Fatit një vend titullari për ndeshjen e Barcelonës kundër Valencias të shtunën në mbrëmje dhe 16-vjeçari ia shpagoi besimin atij duke luajtur më mirë seç kishte ëndërruar.

Pasi e kishte shënuar golin e parë në karrierë për Barçën kundër Osasunas në xhiron e kaluar të La Ligës, sulmuesi adoleshent shënoi kundër Valencias pas vetëm një minute lojë, falë një asisti të bukur nga Frenkie de Jong.

Fati ia ktheu nderin mesfushorit holandez duke i asistuar te goli i dytë i Barçës vetëm gjashtë minuta më vonë.

Valverde e nxori atë nga loja në minutën e 69-të dhe Fati mori duartrokitje të mëdha nga i gjithë Camp Nou.

Ai u ul në bankën e rezervistëve duke e ditur se tashmë i ka shënuar dy gola në 116 minuta lojë në total për ekipin e parë të gjigantit katalonas.

loading…