Nagavci reagon për deklaratën e Veliut ndaj Osmanit: Koha e Agim Veliut në politikë ka përfunduar

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka reaguar pasi nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu në një deklaratë për media ka thënë sot se edhe po t’ia lëshonte vendin e gjithë Kryesia, Vjosa Osmanin nuk do ta nxinte.

Nagavci përmes një postimi për media tha se kjo deklaratë është e papranueshme dhe e dëmshme.

Ajo tha se koha e Agim Veliut në politikë ka mbaruar dhe se qytetarët e Podujevës i kanë dhënë atij mesazhin e duhur.

Postimi i plotë:

Deklarata e sotme e zv.kryetarit të LDK, ministrit aktual e ish ministrit të arsimit nga LDK, zt. Agim Veliu në lidhje me dukjen e u.d të Presidentes, zn. Vjosa Osmani është sa e papranueshme aq dhe e dëmshme.Edhe pse kjo deklaratë në fakt flet për vet zt. Veliu, për mënyrën e tij të të menduarit, po aq flet edhe për atë se si fatkeqësisht numër i konsiderueshëm i burrave, qofshin ata edhe përfaqësues politik e me funksione të larta, i zhvillojnë betejat politike ndaj kundërshtarëve, e sidomos ndaj grave. Në mënyrën më të lehtë, të pahijshme e denigruese.Zt. Veliu, nënkryetari i LDK-së i është drejtuar zn. Osmani, ish partiakes së tij, por njëkohësisht ky është një mesazh për ata e sidomos për ato që mendojnë ndryshe, e që veprojnë në bazë të bindjeve të tyre. Pra nuk përballin të vërtetën me argumente, por zgjedhin që me deklarata poshtëruese të frikësojnë gratë që mendojnë e veprojnë me kokën e tyre.Ajo çfarë ne kemi nevojë është të inkurajojmë gratë e vajzat të merren me politikë dhe gjithë çfarë ato dëshirojnë, t’i mbështesim e së paku të ofrojmë mundësi të barabarta. Koha e Agim Veliut në politikë ka përfunduar, mesazhin ia dhanë qytetarët e Podujevë së fundmi, por është koha që të përfundojë edhe mendësia patriarkale dhe të qenurit e të tillëve në pozita vendimarrëse.