Murati thotë se është koha për samit të liderëve shqiptarë të rajonit!

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se është momenti që të ketë samit të liderëve shqiptarë të rajonit.

Sipas ish-ministrit, tani është koha që të forcohet pozicioni i shqiptarëve duke dinamizuar bashkëpunimin me aleatët perëndimor e duke koordinuar veprimet me faktorin shqiptar në rajon.

“Serbia po e vazhdon lojën: është koha për samit të liderëve shqiptarë të rajonit!
Votimi i Serbisë mbrëmë për rezolutën e AP të OKB-së për të dënuar agresionin rus mbi Ukrainën kishte dy qëllime. E para për të bërë përpjekje që të paraqitet ‘konsistente’ në parimin e ruajtjes së parimit të integritetit dhe sovranitetit territorial dhe indirekt për të krahasuar agresionin rus mbi Ukrainën me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Dhe e dyta të zbus zemërimin e Perëndimit për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Në anën tjetër, Serbia vazhdon me këmbëngulësi në politikën e saj për të mos u bërë pjesë e sanksioneve kundër Rusisë, që vazhdon ta vendos në pozitë të palakmueshme sidomos me detyrimin që ka në kuadër të procesit të anëtarësimit të saj për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Kosova dhe faktori shqiptar duhet me kujdes të shtuar të përcjellin veprimet e politikës serbe, por të mos obsesionohet me të e aq më pak të frikësohet prej saj. Ne duhet të shfrytëzojmë rastin që në funksion të paqes e stabilitetit në rajon por edhe zhvillimit tone të brendshëm të forcojmë pozicionin tonë duke dinamizuar bashkëpunimin me aleatët perëndimor e duke koordinuar veprimet me faktorin shqiptar në rajon. Është koha për një samit të liderëve shqiptarë të rajonit” shkruan Valon Murati në Facebook.