Murati nuk e ka të qartë se si do të kompensohen qytetarët për rrymën në veri

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se qeveria është e gatshme të mbështesë qytetarët dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mënyrë që të kompensojë plot 40 milionë euro të energjisë së shpenzuar në veri të vendit.

Por, Murati nuk e ka shpjeguar qartë se si do të ndodhë kompensimi për qytetarët.

Duke komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për rrymën e shpenzuar në komunat veriore, e cila iu faturua qytetarëve në jug të vendit, Murati është shprehur se nuk është në dijeni të plotë të procesit.

Ai ka thënë se qeveria megjithatë është e gatshme të mbështesë të gjitha palët në mënyrë që të arrihet një zgjidhje.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme, kjo ka të bëjë me përfshirjen në faturim të komunave veriore. Ka qenë një vendim i cili është bërë i plotfuqishëm vitin e kaluar, është apeluar, ka shkuar në Gjykatë Supreme… sidoqoftë, sa i përket kësaj ka procedura që parashihen dhe që do duhen të ndërmerreshin. Nëse s’gaboj, vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka obliguar ZRRE-në që ta gjejë mekanizmin që t’ua kthejë qytetarëve këto mjete, por konsideroj se kjo pyetje do duhej shtrohej qoftë Gjykatës Supreme, qoftë ZRRE-së. Mirëpo, ne si qeveri jemi çdo herë të gatshëm që të mbështesim edhe qytetarët, por edhe mekanizmat tjerë në mënyrë që të gjejmë zbatim të masave apo të vendimeve të tilla”

Bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, në rast se Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ua bënë kompensimin e mbi 40 milionë eurove qytetarëve, të cilëve iu faturua energjia elektrike e shpenzuar në veri, ata do të mund ta padisin këtë institucion.

Avokati i Popullit ka thënë se ZRrE duhet që të nisë procedurat e kompensimit sa më shpejt sepse e ka detyrim.