Mungesa e reshjeve, bëhet thirrje për kursim të ujit

Si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut ka rënë edhe niveli i ujit  në liqenet akumuluese. Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.  Për këtë arsye ai ka apeluar tek të gjithë konsumatorët që të kursejnë ujin dhe të mos e keqpërdorin, në të kundërtën nuk do të tolerohen këto keqpërdorime.

Xhafa ka thënë se po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që askush mos ta ndiejë mungesën e ujit.

“Niveli i liqeneve akumuluese ka rënë dukshëm si pasojë e mungesës së reshjeve dhe nivelet nuk janë të kënaqshme dhe janë nivele shqetësuese të liqeneve tona apo burimeve tona që po shfrytëzojmë por pavarësisht kësaj ne po shfrytëzojmë gjitha kapacitetet tona që askush të mos e ndjejë mungesën e ujit dhe ka qenë qyteti i Lipjanit deri në fillim të muajit që po lëmë që ka pasur mungesa të furnizimit si pasojë edhe e thatësisë edhe disa problemeve tjera por që fatmirësisht me ekipet tona kemi arritur që t’i sanojmë dhe sot Lipjani furnizohet pa ndërprerë 24 orë edhe aj si qytet me rrethinë”, tha ai.

Xhafa më tutje ka shtuar se ka ujë të mjaftueshëm në të gjitha lagjet e Prishtinës,përveç në raste kur ka defekte, apo kur uji fillon të keqpërdoret.

“Po ka ujë të mjaftueshëm nëpër të gjitha lagjet dhe këtë mund tua garantojë, furnizimi është 24 orë në të gjitha lagjet përveç në raste kur ka defekte edhe ekipet tona duhet të ndërhyjnë ose në raste të jashtëzakonshme kur konsumi tejkalon vlerat normale kur fillon të keqpërdoret uji qoftë, për ujitje apo për larje rrugësh dhe ndodh që disa pika të larta të ndiejnë mungesën e ujit. Kjo nuk është pasojë e jona që ne e ndërpresim trajtimin ose ndërpresim furnizimin por është pasojë e konsumit jashtë linjave normale prej të cilave pastaj pësojnë disa konsumatorë”, shtoi ai.

“Ne kemi një obligim ligjor sipas rregullativës të aprovuar nga autoriteti rregullativ për ujëra ku presioni ujit në pikën e kyçjes duhet të sillet në intervalen nga 1.5 deri në 1.7 bar që nënkupton se në disa raste ne presionin e dërgojmë mbi 1.5 bar por 1.5 bar nuk garanton që furnizimi arrin në katet e mësipërme”,  tha ai për EO.

Ai ka apeluar te të gjithë konsumatorët që të kursejnë ujin dhe të mos e keqpërdorin, në të kundërtën nuk do të tolerohen këto keqpërodrime.

“Fatkeqësisht po kjo ka ndodh sidomos në fundjavën që lam pas sepse temperaturat kanë qenë relativisht të larta për stinën apo sezonin që po kalojmë dhe keqpërdorimet janë evidente për shkak të pandemisë keqpërdoruesit nuk zgjedhin kohë dhe e keqpërdorin edhe në kohë pandemie edhe jashtë pandemisë mirëpo ne nuk do ti tolerojmë këto keqpërdorime”

Mes tjerash ai ka thënë që sipas ligjit çdo person i cili e keqpërdor ujin shkon si vepër penale dhe pastaj mund të dënohet deri në 3 vite me burg.

“Ligji e definon shumë qartë çdo person i cili keqpërdor ujin shkon si vepër penale dhe pastaj mund të dënohet deri me 3 vite burg dhe nuk do ta kursejmë askënd sepse ne po bëjmë çmos t’i furnizojmë dhe po dalim edhe përtej limiteve tona”, është shprehur ai.

Xhafa tha se stafi janë të pajisur me masat mbrojtëse personale si maska dhe doreza. Xhafa tha se janë liruar nda puna disa punëtor për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

“Ne i kemi liruar ata që janë me sëmundje kronike të shkojnë në shtëpi por në momentin që ngritën temperaturat inspektorët do të vinë në punë dhe do të respektohen normat e sigurisë në punë duke respektuar edhe aspektin e distancës sociale me qëllim që ti mbrojmë punëtorët por nuk do të ketë tolerim ndaj keqpërdoruesve”

“Stafi është pajisur me masat mbrojtëse personale me doreza dhe maskat mbrojtëse e dezinfektues po ashtu kemi ndërmarrë  edhe aktivitete ku janë dezinfektuar objektet tona, mjetet lëvizëse motorike. Do ti respektojmë të gjitha normat ligjore për siguri në punë duke përfshirë jo vetëm pajisjet personale por të gjitha elementet që përfshijnë aspektin e sigurisë. Meqenëse Prishtina po operon me kapacitetet e veta në pjesën e administratës kemi reduktuar stafin duke e respektuar rekomandimet e institutit të shëndetit publik ndërsa në pjesë operative të mirëmbajtjes por edhe në trajtim kapacitetet tona janë të plota në punë dhe të gjithë punonjësit po punojnë 24 orë vetëm e vetëm që ti sigurohet furnizim i mjaftueshëm dhe cilësor”, tha Xhafa.