MSH-ja pranon donacion nga CDF aparaturë për testim të COVID-19, do të shtohet numri i testimeve në IKSHPK

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikatë për medie ka bërë të ditur se kanë pranuar një donacion nga Fondi për Zhvillim Komunitar, ku përfshihet një aparaturë për testim për COVID-19, sistem robotik për përgatitjen e testimeve dhe material shpenzues për këto pajisje.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë për medie të MSH-së, ku theksohet se tani do të rritet edhe numri i testimeve nga IKSHPK-ja.

“Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF vazhdon përkrahjen e zbatimit të Programit kombëtar për luftimin e pandemisë COVID -19 në Republikën e Kosovës. Në kuadër të reagimit ndaj krizës aktuale të pandemisë së COVID -19, në Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot CDF ka dorëzuar: Aparaturën për testimin për COVID 19 të njohur si RT PCR, sistemin robotik për përgatitjen e e testimeve me RT PCR dhe material shpenzues për këto testime”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Po ashtu, me këtë donacion, përveç se rritet kapaciteti i Laboratorit molekular, bëhet edhe zbulimi i hershëm i sëmundjes COVID-19, si dhe të tjerave sëmundje ngjitese.

“Ky donacion, do të rrisë kapacitetin e Laboratorit molekular të IKSHPK-së, shtimin e numrit të testimeve dhe zbulimin e hershëm të sëmundjes si një nga shtyllat kryesore të luftimit të epidemisë me COVID 19. Për më shumë aparatura e dhuruar do të shërbej edhe për testimin dhe zbulimin e hershëm edhe të sëmundjeve tjera ngjitëse.   Vazhdimi i mbështetjes së sistemit shëndetësor u bë përmes Programeve për HIV dhe Tuberkuloz të përkrahura nga Fondi Global dhe të zbatuara nga CDF në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.