Mourinho e lavdëron Solskjaerin

Jose Mourinho e ka lavdëruar Manchester Unitedin dhe trajnerin Ole Gunnar Solskjaer për rezultatin e arritur në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit.

Solskjaer i ka fituar 14 ndeshje dhe i ka barazuar dy të tjera, që kur u emërua në këtë pozitë. Disfata e tij e vetme erdhi në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Paris Saint-Germaini e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 0-2, në Old Trafford.

Mirëpo, parisienët e humbën ndeshjen kthyese, me rezultat 1-3, duke bërë kështu që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për shkak të golave të shënuara si mysafir.

PSG-ja e dominoi ndeshjen, duke e mbajtur 73 për qind të topit gjatë ndeshjes, mirëpo francezët bënë vetëm katër goditje në drejtim të portës, po aq sa anglezët. Fati i tyre u përcaktua nga një penallti e Marcus Rashfordit, në minutën e katërt të minutave shtesë.

“Manchester Unitedi i pati katër goditje brenda 95 minutave dhe me katër goditje, ata i shënuar tri gola dhe PSG-ja e pati afër 70 për qind të posedimit të topit. Kjo është mënyrë pragmatike për ta shikuar futbollin. Manchester Unitedi i shënoi tri gola dhe e meritoi kualifikim”, ka thënë Mourinho.

“Mendoj se pavarësisht paraqitjeve, rezultat e Manchester Unitedit dhe Ajaxit janë fenomenale. Kështu që, për mua, Ten Hagi i Ajaxit dhe Solskjaer i Manchester Unitedit janë dy trajnerët e javës. Rezultate të mrekullueshme, kështu që e meritojnë këtë”.

Sundimi trevjeçar i Real Madridit në Ligën e Kampionëve nuk do të vazhdojë më, për shkak të eliminimit tronditës që pësuan madrilenët nga Ajaxi. Holandezët e siguruan një vend në çerekfinale, duke fituar me rezultat të përgjithshëm 5-3. Ndeshjen në Santiago Bernabu, holandezët e fituan me rezultat 1-4.