Mosmarrëveshjet e koalicionit Qeverisës, mblidhet kryesia e AAK-së

Sinjalet e pakënaqësisë të shprehura nga Ramush Haradinaj drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës, partnerit të saj në qeveri, kanë mbledhur sot Kryesinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Partia e udhëhequr nga Haradinaj është mbledhur sot nga ora 12:00, ka konfirmuar sot për Gazetën Insajderi, Rasim Selmanaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së.

“Konfirmoj se anëtarët e Kryesisë së AAK-së, bashkë me Grupin Parlamentar si dhe me kryetarin e nënkryetarët kanë një mbledhje nga ora 12:00. Do të diskutohet për zhvillimet e fundit politike”, ka deklaruar Selmanaj në një bisedë të shkurtër telefonike për gazetën të martën.

Mbledhja e Kryesisë së AAK-së dhe strukturave të tjera të partisë në javën pasuese të nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, vjen vetëm një ditë pas pakënaqësive të shprehura hapur nga kryetari i AAK-së ndaj kryeministrit Hoti.

Të martën, në një intervistë për Debat Plus të RTV Dukagjinit, Haradinaj u shpreh se AAK-ja së shpejti do të marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e saj brenda Qeverisë Hoti.

“Nuk besoj se AAK do të ketë një ‘status quo’ të veten që vetëm të ankohet për tema. Ose do të ketë qasjen e saj për dialogun ose do të merr një vendim”, deklaroi të martën Haradinaj.

Po ashtu, i pari i AAK-së ka dekalruar dje se “nuk është në rregull të shkojë Hoti në takime me koordinatorin shtetëror për dialogun Skender Hysenin dhe jo me njerëz të AAK-së”, me të cilën LDK-ja është në koalicion nga qershori i këtij viti.