Moratti kundër shitjes së Icardit
Data e grumbullimit po afron, por situata mes Mauro Icardit dhe Interit vijon të mbetet e pazgjidhur, me klubin zikaltër që kërkon ta shesë dhe me argjentinasin që ka vënë kushte sa u përket klubeve që do të pranonte.
Ish presidenti i Interit, Massimo Moratti dha një intervistë për mediat italiane, duke komentuar situatën aktuale të sulmuesit argjentinas, të cilin nuk ngurron ta cilësojë shumë më të fortë se Dzeko dhe Lukaku, emra që lakohen për ta zëvendësuar.
“Rasti Icardi është më i vështirë prej atyre me të cilat unë u përballa gjatë drejtimit të Interit. Unë e konsideroj argjentinasin më të fortë se Dzeko dhe Lukaku, që gjithsesi janë sulmues të mirë, pasi njëri ka talent dhe tjetri fizik”, tha Moratti.
Ish numri 1 i Interit pranoi se argjentinasi mund t’i bashkohet Juventusit gjatë kësaj vere, ndërsa theksoi se në kohën e tij, e vinte theksin te sjellja e futbollistëve në fushë dhe jo në rrjetet sociale.
“Nëse Icardi do të shkojë te Juve atëherë “zonja e vjetër” do të forcohet shumë, do të bëhet super. Sjellja e Icardit në rrjetet sociale nuk më intereson shumë, pasi unë vlerësoj impenjimin e futbollistëve në fushën e lojës”, tha ish presidenti zikaltër.
Massimo Moratti u pyet edhe mbi merkaton që Interi ka zhvilluar deri tani, duke zyrtarizuar edhe emrat e parë, ndërsa vlerësoi afrimin e Diego Godin dhe freskinë që mund të sjellin Barella e Sensi.
“Afrimi më i goditur për mendimin tim, është ai i Diego Godin. Me Handanovic, De Vrij, Skriniar e Godin, porta e Interit do të jetë shumë më e mbrojtur dhe nëse titujt i fiton mbrojtja më e mirë, atëherë… Sensi, ashtu si edhe Barella janë dy të rinj mjaft interesantë ,që më pëlqejnë për impenjimin dhe grintën që disponojnë, por duhen ndihmuar që të përshtaten sa më shpejt”, deklaroi Moratti.