Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se partia e tij do të preferonte një listë të përbashkët të partive opozitare për zgjedhjet parlamentare të ardhshme.

Sipas tij, PSD-ja do të ishte pjesë e një liste të tillë duke e konsideruar të rëndësishme për qytetarët.

“Këta nuk duan me Kurtin, por duan bashkë. Pse mos të garojnë bashkë? Thonë se nëse bëhemi bashkë mund të humbim vota. Pse nuk deklarohen bashkë të gjitha dhe të thonë se pas zgjedhjeve ne qeverisim bashkë pasi ky është bllokuesi”, ka deklaruar  ai në “Interaktiv” të KTV-së të enjten. “PSD-ja do ta mbështeste dhe do të bëhej pjesë e një liste në një shpjegim  të tillë politik që mendoj se është e rëndësishme për qytetarët, por edhe për partitë opozitare të Kosovës”.

Sipas Molliqajt, PDK-ja edhe në të kaluarën ka thënë se nuk ka vija të kuqe me askënd, por se me VV-në e ka të pamundur koalicionin për shkak të hendekut të madh mes tyre. Ai e ka cilësuar të gabuar strategjikisht deklaratën e Bedri Hamzës, kryetarit të PDK-së se nuk ka vija të kuqe ndaj askujt.

“Sipas meje, ata duan ta kenë një proces të ri zgjedhor që kur të ndodhë eventualisht ndonjë bashkëpunim, kur i pyet qytetari pse e bënë, të thonë se kanë thënë më parë që nuk kanë vija të kuqe. Për mua është metodë e gabuar strategjikisht”, ka thënë ai.

Molliqaj po ashtu ka thënë se zgjedhjet e fundit lokale kanë nxjerrë në pah “premisa të rreme”.

Sipas tij, premisa më e gabuar ka qenë supozimi që “sa më gjatë që rri Albin Kurti në pushtet, më i dobët do të bëhet”.