Molliqaj: Kurti po heq dorë nga të gjitha kritikat e parimet, po bën koalicion me shtetin e Serbisë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj takimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Molliqaj ka deklaruar se Kurti ka hequr dorë nga të gjitha kritikat e parimet, e sipas tij, ai po i ndryshon ato sepse qëllim kryesor ka ardhjen në pushtet.

“Shpresa e proklamuar nga Vetëvendosje e nxori fytyrën e vërtetë. Për shkak të këtyre dëshmive, dhe jo vetëm këtyre, jemi të bindur që ndryshimi në Kosovë nuk mund të vie prej individëve që zgjedhin të zvarrisin krijimin e institucioneve për shkak të pozitave e jo programit me të cilin duhet të udhëheqin. Këta nuk mund ta sjellin ndryshimin sepse këta luftojnë për të rehatuar veten e për të mbyllur gojën për Kosovën.

Prandaj, këta, ende pa filluar, me dorën e tyre e humbën legjitimitetin të cilin e fituan para 3 muajve dhe dështuan që 3 muaj. Zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri sepse ndryshe rrezikojmë të lejojmë që popullizmi të mirëmbajë status-quo-në e krijuar nga paraardhësit e tyre”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Shkrimi i plotë:

“Koalicioni me shtetin e Serbisë?

Me datën 24 shtator 2019, Albin Kurti deklaroi që “Lista Serbe duhet të përfundojë në opozitë dhe të reformohet në centrifugë sepse nuk është parti, por shteti i Serbisë.”

Popullistët, për shkak se zakonisht janë në opozitë, bëjnë kritikë përmbajtësore pushtetit përbrenda kornizës së anti-establishmentit duke proklamuar përfaqësimin e vërtetë e të vetëm të vullnetit të popullit. Në momentin që një popullist vjen në pushtet, kritika e tij ndaj partive të tjera i kthehet si fantazmë që e ndjek pamëshirshëm. Sepse për popullistin, e kjo gjë tashmë është dëshmuar botërisht siç po dëshmohet në Kosovë, nuk është me rëndësi ndryshimi i përmbajtjes politike por ndryshimi i figurave e njerëzve në pozita politike.

Popullisti veç sa i ndërmerr disa hapa shtesë për të dhënë një imazh fiktiv që diçka po ndryshon por e mirëmban e intensifikon avazin e vjetër të pushtetarëve të tjerë.

Pikërisht në këtë moment, pasi kishte dhënë deklaratë të fuqishme kundër Listës Serbe para zgjedhjeve dhe përfshirjes së saj në qeverisjen e tij, ai sot deklaron që do t’i takojë për të folur për krijimin e qeverisë. Dalëngadalë, Kurti heq dorë nga të gjitha kritikat e parimet, e i ndryshon ato sepse qëllimi kryesor i tij është ardhja në pushtet edhe nëse kjo do të thotë përdorimi i metodave të paraardhësve të tij dhe mënyra sesi ata kanë qeverisur.

Shpresa e proklamuar nga Vetëvendosje e nxori fytyrën e vërtetë. Për shkak të këtyre dëshmive, dhe jo vetëm këtyre, jemi të bindur që ndryshimi në Kosovë nuk mund të vie prej individëve që zgjedhin të zvarrisin krijimin e institucioneve për shkak të pozitave e jo programit me të cilin duhet të udhëheqin. Këta nuk mund ta sjellin ndryshimin sepse këta luftojnë për të rehatuar veten e për të mbyllur gojën për Kosovën. Prandaj, këta, ende pa filluar, me dorën e tyre e humbën legjitimitetin të cilin e fituan para 3 muajve dhe dështuan që 3 muaj. Zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri sepse ndryshe rrezikojmë të lejojmë që popullizmi të mirëmbajë status-quo-në e krijuar nga paraardhësit e tyre“.

Ndryshe, gjatë ditës kryetari i LVV-së, Albin Kurti ta takuar përfaqësuesit e minoriteteve në Kosovë, ku ka diskutuar për programin qeverisës.