Molliqaj: Kam qenë kundër koalicionit me AAK-në

Ish-deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj, ka folur për herë të parë në televizion pas rezultatit të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit.

Molliqaj në RTV Dukagjini, ka thënë se ai personalisht ka qenë kundër koalicionit me AAK-në dhe këtë gjë ai thotë se ia ka thënë edhe Ramush Haradinajt.

Ai thotë se politikisht dhe ideologjikisht e ka ditur se koalicioni AAK-PSD nuk mund të funksionojë dhe se nuk mund të bashkojë votat e dy partive.

“E kam ditur që ideologjikisht dhe strukturalisht është shumë e vështirë që këto dy parti të bashkohen. Nuk kam pritur rezultat kaq zhgënjyes por jo edhe shumë nga ai koalicion”, tha ai.

Molliqaj thotë se pas arritjes së koalicionit ai e ka mbrojtur në maksimum koalicionin.

“AAK nuk i ka bërë dëm PSD-së dhe e kundërta. Të dy palët i kanë gabimet e veta”.

Ish-deputeti i PSD-së thotë se nëse analizohen kandidatët e AAK-së, pos Albena Reshitajt që është nga Suhareka, ata tjerët që kanë fituar mandatet e deputetëve janë nga Istogu deri në Gjakovë.

“Cilin ta marrim ata marrin në start 4 mijë vota në zona të caktuara të Dukagjinit. Pastaj ata kanë marrur edhe disa vota në komuna tjera dhe kanë fituar mandatet. Nuk mund të kem pritur që votuesi i AAK-së më mbështet mua para se të mbështesë shembull Blerim Kuçin”, tha Molliqaj.

loading…