Ermal Panduri, drejtuesi i emisionit Debat Plus, i është kundërpërgjigjur ish-kryeministri Isa Mustafa pas një kritike që ia dha televizionit.

Mustafës nuk i ka pëlqyer pyetja e poll-it që zakonisht lidhet me temën që diskutohet në Debat Plus.

“A po e kërcënon LDK koalicionin?”, ishte pyetja që iu shtrua opinionit sonte.

“Sipas kësaj, Redaksia e TV Dukagjinit e paska vendosur, se në çdo alternativë LDK duhet të jetë ajo që kërcënon. Dhe paraprakisht duhet etiketuar si përgjegjëse LDK-në. Pyetja është sugjestive dhe rrjedhimisht është joprofesionale”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook, transmeton Insajderi.

“Sepse një TV serioz do duhej, nëse bash ka nevojë, të shtrojë pyetje neutrale: Kush po e kërcënon koalicionin”…

Panduari ia ka kujtuar Mustafës një deklaratë të Avdullah Hotit, zv.kryeministrit të qeverisë, i cili pati thënë se “LDK nuk rri në qeveri nëse nuk hiqet taksa pa kushte”.

Megjithatë Mustafa mendon ndryshe.

“Dhe unë do të përgjigjesha se koalicionin mund ta kërcënojë vetë koalicioni. Por këtë kërcënim nuk e shoh”, ka shkruar Mustafa në fund.