Mitrovica drejt normalizimit, pas masave lehtësuese

Edhe përkundër faktit se pjesa jugore e Mitrovicës ka 19 raste me Covid-19, situata duket të jetë e qetë.

Qarkullimi i madh i veturave e karakterizoj pos tjerash këtë qytet gjatë ditës së martë.

Sipas nënkryetarit, Faruk Mujka, kjo komunë është simbol suksesi sa i përket menaxhimit së situatës me pandeminë Covid-19.

Për tu marrë shembull, sipas Mujkës, është edhe bashkëpunimi i qytetarëve dhe bizneseve.

E qytetarët shprehen të kënaqur me menaxhimin e situatës nga komuna.

Ndryshe, nënkryetari shton se pas vendimeve të ministrisë së Shëndetësisë, do të rifillojë edhe hapja e bizneseve të vogla e që si kompensim për humbjen gjatë këtyre muajve, do të kenë ndihmë edhe nga komuna.

Por, shqetësues del të jetë qarkullimi me transport publik.

Florim Hajrizi nga Stacioni i Autobusëve thotë se interesimi i qytetarëve është i ulët.

Pos tjerash, Hajrizi shton se në gjithë këtë situatë ka ndikuar edhe kufizimi i orareve dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

Deri më tani, rastet me Covid-19 në këtë komunë po trajtohen në vetizolim, ndërsa vetëm një prej tyre është në gjendje më të rëndë dhe po trajtohet në QKUK.