Vetting

Mirëpret vendimin e Kushtetueses për Vetingun, Haxhiu: Do ta bëjmë reformën e thellë në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se i dha dritë të gjelbër Vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes një mekanizmi të jashtëm.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e dorëzuar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, lidhur ma amendamentet për Vetingun në sistemin e drejtësisë.

Sipas një njoftimi të gjykatës të publikuar të premten, tri nga katër amendamente nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

“Sot, pranuam Njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese për Vetingun në drejtësi”, ka thënë Haxhiu, përmes një postimi në Facebook.

Ministrja ka thënë se “Gjykata Kushtetuese i dha dritë të gjelbër Vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes një mekanizmi të jashtëm”.

“Ndonëse për më shumë se 9 muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës”.

Ajo tha se ka shumë punë përpara. “Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë”.

“Në përputhje me zotimet tona, me vullnetin e shprehur qytetar do të bëjmë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumti: Drejtësi”, tha Haxhiu.