Ministrja Hajdari sulmon shitësit me pakicë për krizën: Po e shkelin Kushtetutën

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka folur sot para deputetëve për rritjen e çmimeve në vend.

Hajdari ka thënë se ka pasur inspektime të shpeshta nga inspektorët, shkruan lajmi.net.

“Qeveria veçse ka filluar me adresimin e çështjes së rritjes së çmimeve. Përpos inspektimeve të shpeshta, në gjetjet dhe shkeljet e tjera në kemi themeluar edhe Grupin Punues. Bazuar në këtë ne kemi analizuar rritjen e çmimeve në treg dhe kemi vërejtur rritje në produktet e konsumit”, tha ajo.

Tutje Hajdari ua la fajin shitësve për çmimet, duke thënë se shitja nga shitësit me pakicë në një marzhë të lartë tregtare është anti-kushtetuese.

“Ne kemi analizuar situatën e rritjes së çmimeve në bazë të marzhës tregtare. Kemi analizuar, grurin, miellin, vajin, kripën, vezët, mishin e pulës, sapunin, pecetat dhe letrën higjenike. Ne kemi kalkuluar çmimet e blerjes me pakicë dhe shumicë. Kemi çmime që shkojnë deri në marzhë deri në 42% për vezët. A ësht kjo kushtetuese? A duhet të lejohet që qytetari ynë t’i blejë vezët me 42 %?”, tha ajo.

“Nëse shkojmë te çmimi i bukës. Nëse shikojmë marzhën tregtare. Mesatarja e marzhës tregtare, në çmimin e bukës 500 gramë është 45 centë marzha tregtare. Për bukën në 400 gramë është 44% marzha tregtare e shitjes për bukën”, tha tutje ajo.

“Është problemi tek shitësit me pakicë, dhe po flas për të gjitha produktet bazë. Në shitje me shumicë është problem edhe për vezët, ku po shitet 3 euro për pako”, tha tutje ajo.