lANSIM

Ministria e Shëndetësisë lansoi udhërrëfyesit e parë klinikë

Ministria e Shëndetësisë lansoi sot katër udhërrëfyesit e parë klinikë, të cilët kanë për qëllim ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore përmes një kujdesi shëndetësor të bazuar në dëshmi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa tha se sot është ditë pozitive për shëndetësinë, sepse po lansohen 4 nga 8 udhërrëfyesit sa MSh ka hartuar deri më tani, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net

“Duke e parë nevojën dhe urgjencën e hartimit të këtyre udhërrëfyesve dhe protokolleve, MSh ka përcaktuar bazën ligjore për procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike në vendin tonë përmes Udhëzimit Administrativ 08/2015. Përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar edhe trupat rregullatore që sigurojnë mbikëqyrje të cilësisë së procesit, duke adaptuar praktikat më të mira mjekësore nga vendet e zhvilluara bazuar në standardet ndërkombëtare”, tha zëvendësministri Musa. “Ky është vetëm hapi i parë në këtë proces, i cili duhet të vazhdohet intenzivisht me zbatim të tyre në praktikën e përditshme të profesionistëve shëndetësorë”, theksoi Zëvendësministri.

Siç thuhet në njoftim, Drejtoresha e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Popullatën (UNFPA), Doina Bologa, vlerësoi se udhërrëfyesit do t’u ndihmojnë pacientëve dhe sistemit shëndetësor në Kosovë. “Udhërrëfyesit janë bërë pjesë integrale e sistemit shëndetësor dhe konsiderohen mjete esenciale për ta përmirësuar kujdesin në sistemin primar, sekondar dhe terciar. Principi kryesor për udhërrëfyesit e bazuar në evidencë është që të avancoj përkujdesjen klinike në të mirë të pacientëve”, theksoi ajo, duke ëprgëzuar Kosovën si vend të parë në rajon që bën hapa konkret në këtë drejtim.

Udhëhqësja e Këshillit Kosovar për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike, Arbëresha Turjaka ka shpjeguar procesin e adaptimit të udhërrëfyesve klinikë, duke shpjeguar se arsyeja e fillimit të hartimit të tyre është sigurimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore të bazuara në dëshmi, duke pasur për focus gjithmonë interesin e pacientit.

Katër udhërrëfyesit e lansuar sot janë: Menaxhimi i preeklampsisë se rëndë dhe eklampsisë; parandalimi dhe menaxhimi I hemorragjisë primare postpartale; skrinimi dhe trajtimi i lezioneve prekanceroze të qafës së mitrës; dhe udhërrëfyesi për shërbime të HIV/testimit.

Në process të botimit ndërkaq, janë udhërrëfyesit: Menaxhimi i hipertensionit arterial; Menaxhimi jo farmakologjik i sëmundjes së sheqerit; Menaxhimi i astmës; dhe Transporti neonatal.

Procesi hartimit dhe lansimit të udhërrëfyesve klinikë është përkrahur nga UNFPA.