Komunitetet

Ministria e FSK-së flet për vendet e lira

Mungesa e besimit karshi FSK-së, mospërkrahja e transformimit në ushtri dhe kërcënimet e vazhdueshme nga jashtë drejt pjesëtarëve serb të FSK-së, kanë rezultuar me largimin e rreth 60 pjesëtarëve të këtij komuniteti nga FSK, në vitin 2018.

Lidhur me çështjen se si do të plotësohen këto vende boshe në konkursin e ardhshëm të FSK-së, zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, tha se do të bëhet nga të gjitha komunitetet pa dallim, duke i dhënë kështu mundësi të barabarta gjitha pakicave në vend.

“Nuk ka vende të rezervuara për askënd. Ne nuk plotësojmë vende pse dikush e lë FSK-në. Kur të vije koha e planifikuar për rekrutim ne e hapim konkursin dhe atëherë do të lajmërohen të gjithë. Gjithsesi se do të lajmërohen gjitha komunitetet pa përjashtim”, tha Ibrahim Shala për lajmi.net.

Shala përmendi ligjin për FSK-në, ku thuhet se 10% e FSK-së duhet të jenë komunitete, për ta shprehur diversitetin etnik që e ka Kosova.

“Ne i kemi pasur përmbi 10% sepse nuk e kemi shikuar a është 10 për qind apo më shumë sepse FSK është forcë model, e hapur për të gjithë”, tha ai.

Rekrutimi, tha ai do të ndodh kur e parashohin planet për veprim, por që mund të ndodh në fillim të vitit të ardhshëm.

“Ne shprehim keqardhje për ata që e kanë lëshuar FSK-në, kuptohet edhe për shkak të presioneve që i kanë pasur. Në fazat e rekrutimit që do të ndodh, të cilat do të jenë publike përmes fushatës mediale, edhe komuniteti serb, por edhe të gjitha komunitetet janë të mirëseardhura për të konkurruar në FSK”, tha ai.

MSFK ka cekur në përgjigjen e tyre se numri i trupave të FSK-së, pritet të jetë rreth 8 mijë, 5 mijë prej tyre do të jenë aktiv kurse 3 mijë në rezervë.