Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje ndaj të cilit deri në shtator të këtij viti ka pasur Urdhër Mbrojtës.

Ky vendim, sipas tyre, përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.

Prandaj, grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje ka kërkuar që të ndërmerren veprime urgjente.

Ndër to: Vendimin për largim nga emisioni – show televiziv Big Brother personin e denoncuar për dhunë në familje, Atilla Kardesh.

“Ndërmarrjen e masave nga Komisioni i Pavarur i Mediave në raport me këtë vendim skandaloz të televizionit Klan Kosova; Vlerësimin e përgjithshëm të përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë në raport me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës”, thuhet në reagim.