Ministria e Arsimit emëron motrën e ministres anëtare të “grupeve punuese për hartimin e Planit Strategjik të Arsimit”

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është duke e hartuar Planin Strategjik të Arsimit 2022-2026.

Plani po hartohet nga grupet punuese të angazhuara nga MASHTI dhe pjesë e njërit prej grupeve figuron të jetë si e angazhuar edhe Krenare Lleshi, motra e ministres aktuale të Arsimit, Arbërie Nagavci.

Por Leshi, tashmë anëtare e grupit për digjitalizimin e arsimit, mohon kategorikisht për Shqip.com se në emërimin e saj ka pasur influencë motra ministre.

Angazhimi në këtë grup punues, pohon se po bëhet në mënyrë vullnetare, derisa shton se ajo u përzgjodh për shkak të ekspertizës së saj në këtë fushë – specifikisht në teknologjinë në shkolla.

“Konsideroj që përzgjedhja ime është bërë bazuar në përvojat e gjata që kam në përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, por me më rëndësi për shkak se jam e profilizuar në këtë fushë meqë studimet akademike i kam përfunduar pikërisht në fushën Mësim-nxënia, Teknologjia dhe Arsimi”, ka thënë ajo.

Megjithatë, përkundër se thotë që angazhimin do ta ketë vullnetare, ajo nuk ka sqaruar se cilat janë specifikat e këtij angazhimi dhe formën e kompensimit që do t’i bëhet për kontributin e saj.

“Besoj që këtë duhet ta adresoni te Ministria e Arsimit”, ka thënë Lleshi.

Shqip.com ka tentuar disa herë të kontaktojë me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, si dhe me departamentin për media, por nuk u janë përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të redaksisë.

Krenare Llashi aktualisht punon në “Caritas Switzerland in Kosovo”. Organizatë, që sipas Leshit, është bashkëpunëtore e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Por, Lleshin për anëtare të grupit nuk e ka deleguar organizata ku punon. Ajo, edhe sipas dokumentit të vendimit për Hartimin e Planit Strategjik të Arsimit 2022-2026, është përzgjedhur nga sekretariati brenda MASH-it.

Si funksionojnë këto punëtori?

Anëtarja e grupit punues tregon se punëtoritë, kur mbahen, janë një ose dy ditore – “varësisht”.

Thotë se hartimi i Strategjisë duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti.