Fillimisht, ideja e mini-shengenit ballkanik e mbyll Kosovën në një rreth vicioz të pakapërcyeshëm dhe e mbyll lëvizjen e qytetarëve të saj në vetëm një zonë pa perspektivë dhe me “tendenca autokratike”. Kosova është e vetmja në mesin e gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit që ende lufton për ta bindur BE-në se qytetarët e saj kanë të drejtë për lëvizje të lirë dhe se ata kanë përmbushur më shumë kushte sesa Serbia dhe Bosnja bashkë.
Megjithëse i sajuar për t’i dhënë shtysë proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, Samiti i përzier i Kryeministrave dhe Presidentëve, fillimisht të tri vendeve të rajonit, ka pak gjasa të nxisë mirëkuptim dhe shumë më pak shanse ta ngrisë nivelin e bashkëpunimit. Ideja për mini-shengen nuk është ide as e Vuçiqit e aq më pak e Ramës dhe në ditët e sotme vjen me pak vizion dhe synim për t’i avancuar marrëdhëniet me rajon.
Fillimisht, idenë e mini-shengenit e ka theksuar në vitin e parë të pavarësisë së Kosovës, në kuadër të Samitit të Presidentëve, atëbotë Presidenti Fatmir Sejdiu, kur i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ishte i izoluar dhe pa lëvizje të lirë të qytetarëve. E gjithë ideja mbi 9 vjet më parë ishte bojkotuar nga vetë Serbia, që sot e ka marrë bajrakun për mini-shengen, shkruan Gazeta Express.
Në kohën kur pesë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë prej vitesh lirinë e lëvizjes në BE dhe vendi i gjashtë, Kosova, ende s’e ka marrë liberalizimin e vizave dhe përballet me politikën më agresive të Serbisë, ideja për të nisur një proces të “lëvizjes së lirë” në Ballkan e rikthen gjendjen në këtë rajon në një periudhë të para instrumenteve në procesin e integrimeve evropiane.
Fillimisht, ideja e mbyll Kosovën në një rreth vicioz të pakapërcyeshëm dhe e mbyll lëvizjen e qytetarëve të saj në vetëm një zonë pa perspektivë dhe me “tendenca autokratike”.
Kosova është e vetmja në mesin e gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit që ende lufton për ta bindur BE-në se qytetarët e saj kanë të drejtë për lëvizje të lirë dhe se ata kanë përmbushur më shumë kushte sesa Serbia dhe Bosnja bashkë.
E dyta, vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë arritur marrëveshje individuale me njëra-tjetrën për lëvizjen e qytetarëve të tyre vetëm me letërnjoftime dhe kjo praktikë për vite është avancuar. E vetmja që vazhdon të ketë probleme, dhe atë më të theksuara me Bosnjën, pa e harruar Serbinë, është Kosova.
Nëse mini-shengeni nënkupton lëvizjen e qytetarëve të Serbisë për në Shqipëri ose anasjelltas, duke i shfrytëzuar rrugët e Kosovës, nuk do të ketë nevojë për shengen. Do të ketë nevojë për reciprocitet në pikat kufitare. Presidenti Vuçiq e ka të qartë këtë, por idenë për mini-shengen do ta shfrytëzojë për t’i hequr qafe Kosovën dhe problemin me të si pjesë të kapitullit të 35-të të negociatave me BE-në.
Edi Rama ndërkaq ka tjetër synim. Problemet e tij brenda vendit janë më të mëdha dhe më të thella se ato të “vozhdit të Beogradit”. I goditur rëndë nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të BE-së, që kanë hezituar ta japin pëlqimin për Shqipërinë në hapjen e negociatave dhe ende i pasigurt nëse kjo do të ndodhë në maj të vitit 2020, Edi Rama e ka rikthyer idenë e bashkëpunimit rajonal si temë qendrore, duke e ditur se kjo mund t’i jap shtysë BE-së për t’u zbutur.
Por kësaj radhe, Rama nuk i ka marrë parasysh edhe interesat e Kosovës, por vetëm ato personale.
Bindja në Tiranë e Prishtinë është se Rama mund të jetë i gatshëm ta “rikthejë” udhëtimin me pasaporta në vend të letërnjoftimeve për Kosovën, nëse lidershipi kosovar nuk heq dorë nga bllokada e mini-shengenit.
E treta, pikërisht fakti se menaxhimi i integruar i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar për shkak të refuzimit serb për ta zbatuar marrëveshjen e Brukselit e bën idenë e Vuçiqit dhe Ramës për mini-shengen më të paqëndrueshme dhe aspak “dinjitoze e me qëllime të vërteta”. Kosova problemin më të madh e ka pikërisht në pikat doganore të saj me Serbinë dhe një pjesë e territorit të saj është plotësisht e banuar me serbët e Kosovës dhe me ndikim të madh të Serbisë.
Shtrohet çështja: Cilat letërnjoftime për serbët e veriut do t’i njohë Shqipëria në doganat e saj ne rast se bëhet mini-shengeni? Marrë parasysh se këta qytetarë kanë refuzuar shumë herë t’i marrin dokumentet e Kosovës, pjesa më e madhe e veturave të të cilëve janë me regjistrime të Serbisë si refuzim të Kosovës, atëherë vështirë te besohet se ideja e bashkëpunimit në rajon e respekton identitetin e shtetit të Kosovës dhe integritetin e saj.
E katërta, nëse qeveria Haradinaj edhe mund të ketë rënë për shkak të taksës, pikërisht ideja e proklamuar e samiteve në Beograd dhe Ohër për lëvizjen e lirë te mallrave e bën shumë pak të besueshme sinqeritetin e saj. Mallrat e Kosovës pak kanë zënë vend në rajon, përfshirë edhe Shqipërinë për shkak të bllokadave të krijuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Është shumë e palogjikshme të mendohet se dokumentacioni i Kosovës dhe analizat laboratorike e ato fito-sanitare dhe vulat e Kosovës do të njihen menjëherë, sapo të ketë marrë frymë ideja për mini-shengen.
Nëse CEFTA nuk ka arritur të ndërtojë frymë bashkëpunimi, pak besohet se kjo nismë do të ndihmojë.
Megjithëkëtë, samitet do të zhvillohen, aktorët rajonalë do të hidhërohen e gëzohen, do të mbajnë inate ose edhe do të përqafohen, por idetë që do ta mbysin frymën për cilindo shtet të rajonit nuk mund të jenë ide përbashkuese.
Nismat rajonale, ndërkaq, sikur kjo e Beogradit dhe Ohrit, zakonisht nisin me përjashtimin e ndonjërit prej vendeve të Ballkanit, zakonisht Kosovës, dhe janë pikërisht ato që kanë sjellë telashe më të mëdha në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit.







