Vuçiq: Mezi pres që të bëhem si Trump

Rrjeti social Twitter, ka etiketuar së fundi mediet serbe si bashkëpunuese me qeverinë.

Pas kësaj ka reaguar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili pavarësisht të gjithave përgëzoi mediet serbe, duke thënë se një bashkëpunim i tillë është diçka shumë normale.

Madje, sipas Kurir.rs,  Vuçiq theksoi se shteti nuk i financon shumicën e këtyre medieve të etiketuara nga ky rrjet social.

“Epo, është mëse normale që bashkëpunojnë me Qeverinë. Pse a do të duhej të bashkëpunonin me manjatë e kriminelë? Ne si shtet nuk i financojmë shumicën e këtyre mediave, ndërsa ata i paguajnë Zërit të Amerikës e BBC-së, ndërsa nuk i kanë etiketuar si mediat qeveritare. Çfarë ka të keqe te fakti që bashkëpunojnë me Qeverinë?”, tha ai.

Duke treguar indinjatë ndaj Twitter , presidenti serb tha se pret me padurim që t’ia mbyllin llogarinë sikurse ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“E shihni, ata do të donin të ishin censurues të vërtetë. Mezi pres që ta mbyllin llogarinë time dhe të bëhem një Trump tjetër në botë”, deklaroi ai.