Jonathan Hargreaves

Meqë ky muaj është Muaji i Historisë së Njerëzve me Ngjyrë, kjo më bën të reflektoj se si kanë ndryshuar gjërat që nga viti 1978 kur pashë për herë të parë një lojë futbolli në stadium. Atëbotë, në lojën West Ham – Liverpool (West Ham-i humbi, dhe mjerisht ranë nga liga për pasojë) nuk kishte asnjë lojtar me origjinë etnike që nuk ishte e bardhë. Të shtunën e kaluar, gjashtë nga lojtarët e West Ham-it në fitoren tonë 4-1 – duke përfshirë dy nga golashënuesit tanë – ishin lojtarë me ngjyrë. Kjo kaloi pa asnjë koment.

Muaji i Historisë së Njerëzve me Ngjyrë filloi në Shtetet e Bashkuara në vitet ’20 të shekullit XX; në Mbretërinë e Bashkuar filluam ta kremtonim në vitin 1988, dhe këtë e bëjmë çdo tetor. Këtë vit tema është “rikthimi i narrativave”, me fokus në korrigjimin e pasaktësive dhe amplifikimin e storjeve të patreguara të personave me ngjyrë.

Një nga storjet e patreguara të futbollit është se disa nga ekipet e sotme të Premier League kanë pasur lojtarët e tyre të parë me ngjyrë shumë dekada më parë. Fred Corbett, i cili mbetet një figurë shumë e rëndësishme në historinë e West Ham United, ishte lojtari i parë me ngjyrë që e përfaqësoi klubin duke luajtur në 38 përballje dhe duke shënuar 15 gola midis shtatorit 1899 dhe dhjetorit 1901. Por, u desh të priten vitet 1970-‘80, që lojtarët me ngjyrë të bëheshin shumë më të zakonshëm. Më kujtohet stuhia mediatike kur Laurie Cunningham u bë futbollisti i parë me ngjyrë në nivelin e Përfaqësueses Shpresa të Anglisë në vitin 1977, dhe kur Viv Anderson u bë lojtari i parë me ngjyrë që luajti për ekipin e plotë të Anglisë në vitin 1978 (viti i lojës vetëm me futbollistë të bardhë që pashë në Londër).

Kur ia nisa të shikoja më shumë futboll, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, racizmi ishte tmerrësisht normal. Më kujtohen si tifozët që bënin buuu… dhe ulërinin komente raciste kundër lojtarëve me ngjyrë në ekipet kundërshtare, dhe ndonjëherë edhe në ekipin tonë. Kjo ishte epoka e nëpërkëmbjes, siç ishte hedhja e bananeve në fushë drejt lojtarëve me ngjyrë. Më vjen turp sa herë që e kujtoj, por nuk më shkonte mendja të reagoja kur e shihja që ndodhte para meje.

Përkundër diversitetit etnik në rritje të shpejtë në Britani, në lojëra vinin pak tifozë me ngjyrë apo aziatikë. Ata që vinin, e dinin që keqtrajtimi racist vinte jo vetëm nga tifozët kundërshtarë, por edhe nga ata që i rrethonin dhe mbështesin të njëjtin ekip. West Ham-i është në Londrën lindore, një zonë me një popullsi të konsiderueshme me ngjyrë dhe aziatike, por kur shkova në stadium për lojën e klubit të tyre, tifozët ishin 99 për qind të bardhë, madje edhe gjatë viteve 1980-‘90 kur ekipit po i shtohej diversiteti. Vetëm gradualisht, viteve të fundit, baza e tifozëve ka arritur ta përfaqësojë më mirë diversitetin e Londrës lindore.