Mediumi i madh anglez shkruan për tifozët e Kosovës

Mediumi i madh anglez, Telegraph, e publikoi një artikull për tifozët e Kosovës në Southampton, pak momente para fillimit të ndeshjes kualifikuese për EURO 2020 – mes Anglisë dhe Kosovës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni të plotë më poshtë.

Ata kishin ardhur nga e gjitha Evropa dhe Britania e Madhe në stadiumin “St.Mary’s” për një ndeshje që do të thotë për vendin e ri kosovar më shumë sesa një kualifikuese për EURO 2020, shkruan Telegraph.

Sipas burimeve zyrtare, 20 mijë kosovarë u pritën në Southampton për ndeshjen kundër Anglisë dhe vetëm rreth 10 mijë prej tyre erdhën me bileta. Ata kishin ardhur ta mbështesnin skuadrën e tyre, që s’dinte për disfatë që 15 ndeshje dhe sapo kishte fituar kundër Republikës Çeke të shtunën. Por, ata e kanë një dashuri të madhe edhe për futbollin britanik dhe Britaninë në përgjithësi.

Kristian Gashi, 30-vjeçar, një tifoz i Kosovës i cili kishte ardhur për herë të parë në Britani të Madhe nga shtëpia e tij në Austri, po e pyeste stafin e BBC-së nëse ka mundësi ta shfaq një flamur të tij para kamerës së tyre për transmetimin në orën 18:00. “Falë juve, tani luajmë kundër juve”, shkruhej aty. “Gjithmonë mirënjohës ndaj tyre, Anglia jonë e dashur”. Gashi është nga Ferizaji i Kosovës dhe ai dëshironte ta sqaronte pse roli i Britanisë në ndërhyrjet e NATO-s në luftën në Ballkan në vitet 1998-99 kishte domethënie të madhe.

“Unë e përjetova luftën dhe kurrë nuk mendova se në kaq pak kohë ne do të ishim këtu, duke luajtur futboll në një stadium”, thotë ai. “Do t’i jem gjithmonë mirënjohës Anglisë për atë që bën për vendin tonë”.

Rinor Arifi, 26-vjeçar, nga Prishtina, e ka një fotografi në telefonin e tij të një ushtari britanik duke luajtur futboll në rrugë me fëmijë kosovarë. Ai ka ardhur për ta shikuar ndeshjen dhe për ta vizituar familjen e tij. “Kjo fotografi u bë para 20 vjetëve dhe tani ne po luajmë kundër Anglisë. Është e mrekullueshme”, tha ai.

Arifi tha se kushëriri i tij kishte shpresuar se do ta takonte Tony Blairin këtë javë dhe t’i ofronte atij një biletë për ndeshje. Ish kryeministri i Britanisë shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në ndërhyrjet e NATO-s dhe një gjeneratë e fëmijëve mban emrin e tij në Kosovë. “I njoh rreth 20 fëmijë të quajtur “Tonibler””, shtoi Arifi.

loading…