Me të miturën në Drenas dyshohet se abuzuan 3 profesorë, një avokat, një polic dhe një zyrtar

Në rastin e Drenasit janë të përfshirë 3 profesorë, një avokat, një polic e një zyrtar i Qendrës për Punë Sociale

Në këtë gjimnaz, profesori I. Rexhepi po vazhdon punën e tij si mësimdhënës.

Edhe pse ndaj tij është ngritur aktakuzë për keqpërdorim seksual të një ish nxënëse të mitur të kësaj shkolle, ende drejtoria e shkollës e as ajo komunale nuk ka marr ndonjë masë.

Njëjtë si Rexhepi, për veprën e njëjtë penale në arrest shtëpiak po qëndron edhe kolegu i tij, Shkëlzen Xhekaj.

Për Xhekajn prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë nën dyshimet se ai kishte abuzuar seksualisht me 16 vjecaren në atë kohë, A.G duke i premtuar rrejshëm martesë.

Edhe në shkollën e mesme të ulët, Rasim Kiqina në Drenas, të enjten arsimtari F. Caraku ka mbajtur mësim.

Në skandalin e keqpërdorimit seksual të së miturës, T7 mëson se është përfshirë edhe Caraku. I njëjti gjatë vitit 2016 kishte keqpërdorur seksualisht nxënësen A.G.

Drejtori i Gjimnazit Skenderbeu, Valdet Istogu në një përgjigje për Televizionin ka thënë se ende nuk kanë pranuar zyrtarisht aktin akuzues, i cili fillimisht dërgohet në DKA.

“Ibrahimi punon këtu, e Caraku në Rasim Kiqina, hala s’a ardhë asnji vendim, masnej i marrim masat”, ka thënë Istogu.

Historia e abuzimit me vajzën nga Drenasi nuk merr fund këtu.

Ajo ishte drejtuar në polici, por aty kishte vazhduar abuzimi me të.

Vesel Veseli, rreshter në stacionin policor në Drenas kishte keqpërdorur seksualisht të miturën, e cila kishte raportuar rastin e keqpërdorimit nga mësimdhënësit.

Jo vetëm ky institucion, por edhe të tjera nuk i ofruan ndihmë të miturës.

Ajo sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, u keqpërdor edhe nga avokati Gazmend Halilaj, të cilin e kishte takuar derisa ai mbronte profesorin Shkëlzen Xhekajn.

16 vje֛arja, nuk la vend pa denoncuar rastin.

Ajo u drejtua edhe në Qendrën për Punë Sociale në Drenas.

E zyrtari i kësaj qendre, H. Hoxha, sipas aktakuzës kishte keqpërdorur seksualisht të miturën.

E nga të gjithë të përfshirët, i vetmi që ka reaguar është avokati Gazmend Halilaj duke e cilësuar këtë si hakmarrje ndaj tij.

Ai madje ka thënë se prokurori ka ngirtur aktakuzë për një vepër penale e cila nuk ekziston në kodin penal të Kosovës.

Por në një përgjigje për Televizionin Shtatë, prokurori i rastit Ruhan Salihu ka thënë se kjo vepër ka ekzistuar në kohën kur është kryer vepra.

A ka ekzistuar vepra penale në kohën kur ai ka kryer këtë vepër? Pra në vitin 2016?

Me kodin e ri penal, kjo vepër është në kuadër të një vepre tjetër e cila dënohet shumë më shumë, pra cilin ligj e dëshiron Halilaj? Rastet kanë ndodhur përgjatë vitit 2016. Vetë vajza ka ardhur më ka pyetur para disa ditësh, bashkë me avokatin e saj nëse kam bërë gati aktakuzën?

Ndryshe, T7 mëson se shumica e provave, dhe emrat e rinj të përfshirë në këtë rast kanë dalë nga ekzaminimi i telefonit të së miturës. Aty janë gjetur provat e mjaftueshme që dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat për cka ngarkohen.

Për skandalin në Drenas, kanë raportuar edhe mediat e huaja. BBC i ka kushtuar një artikull kësaj ngjarje për cka po akuzohen 6 persona për veprën “keqpërdorim seksual ndaj një të miturës.