Mc Qoppa do të nxjerrë në treg albumin e parë, paralajmëron krijimin e një labeli

Rep-artisti Elvis Qollopeku, i njohur në publik si Mc Qoppa ka sjellës së fundmi projektin e tij më të ri “220 km/h”.

Mc Qoppa në këtë projekt ka bashkëpunuar me Arben Bytyqin dhe artisin e ri që jeton në Suedi, Agron Beqirin.

Në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, Elvis Qollopeku ka treguar se teksti i këngës “220 km/h” ka për qëllim seksibilizimin e shoqërisë për numrin e madh të aksidenteve automobilistike që ndodhin në Kosovë.

“Një rast i tillë i ka ndodhur edhe një shoku tim, që ka qenë djalë i shkëlqyer në shkollë dhe ka menaxhuar faqen time në Facebook. Ka edhe qindra raste tjera specifike që secili njohim…Secila fjalë në testin e këngës tregon se shpejtësia vret”.

Mc Qoppa thotë se që nga fjalët e para të këngës jepet mesazhi i dëshiruar.

“Shpejtësia dhe arkivoli, rezultati arkivoli”, është njëri nga fragmentet e këngës së fundit të reperit nga Prizreni, “220 km/h”.

Elvis Qollopeku ka zbuluar se do të nxjerrë në treg albumin e tij të parë në fund të tetorit.

“Pas këtij albumi kam plan të formojë një label. Artistët e rinj tashmë janë duke u testuar…Albumi do të dalë me tri videoklipe”, tha ndër të tjera Rep-artisti Elvis Qollopeku.