Mbyllja e AKP-së pa debat po shihet si e dëmshme, ekspertët këshillojnë Qeverinë të jetë e kujdesshme

Iniciativa e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje për shuarjen e AKP-së dhe kalimin e aseteve të saj në pronësi të Fondit Sovran, po shihet me mëdyshje nga opozita. Ndërsa ekspertë të ekonomisë kërkojnë nga Qeveria të ketë kujdes në këtë drejtim.

Qeveria e cila tashmë drejtohet nga Albin Kurti është para vendimit për kompetencat e AKP-së.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë për KosovaPress, se çështja e AKP-së dihet vetëm pas publikimit të programit qeverisës, i cili sipas tyre pritet të publikohet së shpejti.

“Shumë shpejt do të publikohet programi qeverisës ku do të adresohet përfundimisht veprimtaria, kompetencat dhe funksioni për AKP-në”, thotë zëdhënësi i ekzekutivit Përparim Kryeziu në një përgjigje për KP.

Në anën tjetër as drejtues të kësaj agjencie nuk e kanë të qartë çfarë pritet të ndodhë me planifikimin e Qeverisë Kurti 2 lidhur me AKP-në.

Drejtori Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, nuk ka treguar për KosovaPress që në rast mbylljeje a rrezikohet 20 përqindëshi për punëtorët, qiraja që e merr kjo Agjenci dhe fati i stafit-punëtorëve.

Ai ka thënë shkurt se AKP ka mandat ligjor, dhe nuk është në mandatin e saj të komentoi iniciativat e Qeverisë apo të Kuvendit.

“AKP ka mandatin e saj ligjor dhe nuk është në mandatin e saj të komentojë iniciativat e Qeverisë apo Kuvendit te Republikës së Kosovë. AKP në bazë të mandatit të saj ligjor është e obliguar që të veprojë dhe bëjë përpjekje maksimale në përmbylljen dhe transformimin sa më të shpejt të procesit të Privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore”, thuhet në një përgjigje të shkurt me shkrim.

Kryetari i Komisionitpër Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala thekson për KosovaPress se tendenca për ta shuar AKP-në është e pa menduar dhe analizuar mirë, por edhe jo kushtetuese.

Deputeti i PDK-së thotë se procesi i privatizimit mund të riformohet, mund të përmirësohet, mund të ndërrojë kahe, por gjithmonë sipas tij duke përfillur legjislacionin në fuqi dhe institucionet të cilat e kanë krijuar.

“Nuk përjashtohet nevoja, kërkesa që ka për ndryshim plani e strategjie, por për ta shuar pa një analizë, pa ndonjë debat të hapur, pa një vendim të parlamentit nuk mund të bëhet. Sfidat që ka krijuar ekonomia e vendit, procesi i privatizimit tash e 20 vjet në periudhat e saj nënkuptojnë sfida jashtëzakonisht të larta, të theksuara për kategoritë sociale, për punëtorët të cilët presin me marrë 20 përqindëshin, për proceset me mijëra lëndë në Dhomën e Veçantë të Gjykatës. Pastaj shumë procese të tjera të cilat janë në proces juridik, numri i madh i kreditorëve. Pra, hyrja në këtë fushë pa analizë, pa studim, pa debat është problem i veçantë të cilën kjo qeveri pothuajse sikur të mos jetonte fare në këtë shtet, po i fillon nismat të cilat shumë problem dhe shumë dëm po i sjellin ekonomisë së vendit”, thotë Shala.

Nga ana e komunitetit të biznesit, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka mendon se bllokimi i aseteve shoqërore nuk i shërben zhvillimit ekonomik.

“Çështja e privatizimit ose të kalimit të ndërmarrjeve shoqërore nga pronësia shoqërore respektivisht nga menaxhimi nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pronësi private respektivisht privatizimit të tyre është dashur të ndodhë shumë më herët. Këto asete që sot janë pronësi të ashtuquajtur shoqërore do të duheshin vënë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, do të mundësonin ndoshta edhe zgjerimin e investimeve të sektorit privat në këto asete që për momentin të mbesin të bllokuara nëse mund të themi kështu, edhe nuk i shërbejnë zhvillimit ekonomik”, thekson Zeka.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj thekson seiniciativa e VV-së duhet trajtuar me kujdes, pasi sipas tij çdo mbyllje, ose çdo veprim sikur me shkop magjik ndaj AKP-së, krijon probleme të mëdha dhe mund të përballet Qeveria në Arbitrazh për shkak të pronave.

“Nuk ka rëndësi se si thirret emri, mbyllje, hapje, ndryshim mandati, për këtë qeveria duhet të jetë e kujdesshme në këtë drejtim. Duhet të ketë studime për këtë çështje. Duhet parë mandati i AKP-së ku bartet, cili do të jetë institucioni, kjo duhet të bëhet me ligj, kjo duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Paraprakisht duhet të ketë një lloj koncept-dokumenti që miratohet në qeverinë e Kosovës, në kuvendin e Kosovës, se çka do të bëhet me pronat publike dhe me pronat shoqërore që janë në Kosovë. Nuk mundoj që do të mbyllet AKP-ja me një shkop magjik. Kjo do të hapë debat… Çdo mbyllje, ose çdo veprim sikur me shkop magjik, unë mendoj se do të krijojë shumë probleme, një pjesë e pronave të Kosovës që janë shitur në Kosovë dhe një pjesë e bizneseve që janë shitur në Kosovë mund t’i nënshtrohen një gjykimi ndërkombëtar, prandaj, duhet të ketë kujdes në këtë drejtim”, thekson Mulaj.

Për këtë çështje ndryshe ka menduar eksperti i ekonomisë, Lekë Musa i cili mbështet idenë e bartjes së pronave shoqërore në Fondin Sovran, pasi sipas tij, mënyra e privatizimit të deritanishëm nuk ka qenë në dobi të ekonomisë.

“Historia dhe përvojat nënë gjitha vendet në tranzicion ka treguar se roli më aktiv i qeverisë nuk është se ka sjellë shumë përfitime për ekonominë, përkundrazi krijohet një hapësirë më e madhe për korrupsion ose një shtrembërim i resurseve ekonomike, pra, kjo nuk ka treguar efekte shumë pozitive. Fondi Sovran si i tillë, ideja është që mjetet të cilat krijohen nga shitja e aseteve, pastaj qeveria të vendos se ku t’i investojë këto, në cilat ndërmarrje tjera publike. Vetëm pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në sektorin privat kanë njohurinë, vendimin të shtyrë nga fitimi dhe për këtë arsye edhe vendimet janë më efikase dhe efektive. Efekti ekonomik është më i prekshëm kur vendimet nuk merren nga ana e qeverisë dhe nga ana e sektorit publik”, thekson Musa.

Ndërsa, të mërkurën e ardhshme pritet që Bordi dhe Drejtori i përgjithshëm i AKP-së të raportojnë në Komisionin parlamentar për Ekonomi lidhur me gjendjen e saj pas ndalimit të procesit të privatizimit me kërkesë të kryeministrit Kurti si dhe sfidat që mund të dalin nga mbyllja e mundshme e AKP-së.