Mbushja e buzëve nën moshën 18- vjeçare, pasoja të rënda

Ekspertët thonë se vajzat e reja duhet ta kenë të ndaluara procedurat kozmetike siç është mbushja e buzëve për shkak të pasojave që mund të kenë, shkruan Dailymail.

Shoqëria e Shëndetit Publik në Britani të Madhe, ka thënë se duhet të jetë ilegale për vajzat nën 18 vjeç mbushja e buzëve dhe trajtimet e tjera kozmetike. Si pasojë e mediave sociale, vajzat e pasigurta me pamjen e tyre kanë tendencë të rrezikojnë dhe të kryejnë trajtime dhe mbushje të buzëve. Mbushja e buzëve ka filluar të bëhet në vende të pa licencuara dhe nga njerëz jo profesionistë, prandaj shumë vajza kanë pasur problem dhe pasoja të rënda pas ndërhyrjeve.

Sipas kësaj organizate rritja e numrit të vajzave që po kryejnë këto ndërhyrje, po rrezikon të gjithë njerëzit për shkak të infeksioneve serioze që mund të shkaktohet siç janë sepsisi apo infeksionet e tjera transmetuese.

“Në raste ekstreme, këto procedura mund të rezultojnë me ulçera, infeksione të rënda, nekroza të indeve dhe nganjëherë edhe verbim”, tha udhëheqësi i kësaj shoqërie. Fatkeqësisht, nuk ka një moshë ideale apo të limituar për këto ndërhyrje, duke iu lënë kështu mundësinë të gjithë moshave të kryejnë këtë ndërhyrje nëpër vende me kushte jo adekuate.

Sipas ekspertëve, përderisa ekzistojnë rregulla me anë të cilave njerëzit nën moshën 18- vjeçare nuk mund të blejnë alkool, atëherë duhet të bëhet edhe një ligj, që do të ndalonte ndërhyrjet kozmetikë nën këtë moshë.

Sipas një raporti, një në pesë njerëz që kanë një tatu, ndërhyrje kozmetike apo pirsing kanë përjetuar efekte anësore siç janë ënjtje dhe djegie. Ekspertet shpresojnë se duke i paraqitur këto hulumtime dhe raporte njerëzit do të vetëdijesohen për rrezikun e këtyre procedurave dhe do të krijohen ligje specifike.