Mbushet Pulmologjia, nuk pranohen më pacientë

Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ka më kapacitete për të pranuar pacientë të infektuar me COVID-19.

Kjo klinikë i ka të zënë të gjithë shtretërit me pacientë të infektuar, andaj të gjithë pacientët e infektuar që po shkojnë për të kërkuar trajtim mjekësor aty, po referohen për në dy klinika tjera.

Një pacient ka treguar për Express se nga Klinika e Pulmologjisë i është kërkuar që të hospitalizohet diku tjetër.

Pacienti ka dërguar një raport mjekësor me anë të cilit i është kërkuar që të bëj testin PCR e pastaj të hospitalizohet diku tjetër, për shkak se në klinikë nuk ka më vende të lira.

Ndërsa edhe drejtori i klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha e ka pohuar për Express se nuk kanë më vende të lira për pacientët me COVID-19.

Ai ka thënë se pacientët e infektuar që po kërkojnë trajtim në këtë klinikë po i dërgojnë në klinikën interne dhe atë të Mjekësisë Sportive.

“Po i kemi mbushura kapacitetet me pacientë. Tani po i dërgojmë në klinikën interne dhe Mjekësinë Sportive. Deri sot kemi pasur vende të lira, ndërsa tani jemi duke i dërguar atje pacientët”, ka shtuar ai.