Vizioni

Mbahet konferencë shkencore për institucionet arsimore të sigurisë publike

Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka filluar sot mbajtjen e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare me temën “Institucionet arsimore të sigurisë publike, faktor kyç në forcimin e rendit dhe sigurisë”.

Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me projektin e binjakëzimit, qëllimi i së cilës ishte debati rreth forcimit të arsimit në fushtën e sigurisë.

“Akademia e Kosovës për Siguri Publike me misionin, vizionin, vlerat dhe objektivat strategjike të sajë na paraqitet njëkohësisht garantues se agjencitë të cilat arsimojnë personelin e tyre janë dhe do të jenë në shërbim të qytetarëve të këtij vendi dhe mbrojtës së interesave të shtetit të Kosovës”, tha në fjalën e tij ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në hapjen e kësaj konference tha se sfida e sigurisë është preokupimi kryesor i një vendi.

“Vlerësimet e shkëlqyeshme për Akademinë nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë gjatë proceseve të akreditimit, gjegjësisht përmbushjes të standardeve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare të institucioneve të sigurisë, të cilat fushëveprimin e kanë trajnimin dhe arsimimin e zbatuesve të ligjit janë rezultat i punës dhe përkushtimit të personelit të Akademisë dhe përkrahjes se partnerëve”, u shpreh Smakiqi.

Në këtë konferencë drejtori Smakiqi, foli edhe për proceset nëpër të cilat ka kaluar institucioni që udhëheq siç janë procesi i akreditimit nga autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Po ashtu duke folur për sigurinë në vend, cilësinë e arsimit në fushën e sigurisë drejtori Smakiqi ka përmendur vlerësimet pozitive që janë dhënë nga institucionet ndërkombëtarë të sigurisë për Akademinë, konkretisht nga Michael N.Becar drejtor Ekzekutiv i IADLEST.