Ish fituesi i Topit të Artë

Matthaus nuk mendon se Kovac është problemi i Bayernit

Ish lojtari i Bayernit, Lothar Matthaus mendon se bavarezët po e paguajnë çmimin për gabimin më të madh të mos rinovimit të skuadrës.

Kampionët e Gjermanisë e kanë dominuar Bundesligën duke e fituar rresht në 6 vitet e fundit, derisa këtë sezon kanë pasur një kampanjë zhgënjyese nën drejtimin e trajnerit, Niko Kovac.

Matthaus beson se talentët nuk janë integruar në skuadër duke i besuar shumë të tashmes kurse është anashkaluar e ardhmja.

“Bayerni e ka dominuar kampionatin gjerman në 6 vitet e fundit. Bundesliga është gjithmonë projekt interesant, ne kemi shumë lojtarë të mirë dhe sigurisht skuadrën më të mirë në 6 vitet e fundit. Lojtarët që kanë luajtur gjatë këtyre sezoneve të fundit si Ribery, Robben, Boateng dhe Muller janë ende pjesë kyçe e skuadrës. Kohët ndryshojnë shpejt dhe futbolli është shumë i shpejtë. Gabimi më i madh i Bayernit është mungesa e blerjeve. Tani duhet të rikthehen hap pas hapi, Bayerni ka disa futbollistë të mirë të ri, të cilëve Kovac duhet t’i japë mundësi”, u shpreh Matthaus.

Ish fituesi i Topit të Artë në vitin 1990 beson se Kovac ka karrierë të përshtatshme për të qenë trajner i Bayernit dhe është i bindur se ai nuk është problemi i bavarezëve.

Bayerni ndodhet në vendin e 4-të në Bundesliga me 9 pikë më pak se lideri, Borussia Dortmundi.