Marsi me zgjedhje apo president të ri, flet Faton Abdullahu

Zgjedhjet janë duke u parë si opsion real, në rast të mos dakordimit të partive politike për postin e presidentit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për mediet vendore ka thënë sot, se partitë duhet të ulen për të diskutuar me njëra- tjetrën për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

 Hoti nuk ka përjashtuar zgjedhjet, si opsion të mundshëm.

 “Unë besoj që duhet të ulemi në tryezë… Secila parti le ta jep vlerësimin e saj, opinionin e vet se si e sheh daljen nga kjo situatë. Nëse nuk ka një vullnet të tillë, në rregull, bisedojmë për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, analistët politikë thonë se deri më tani nuk ka vullnet për të shkuar në zgjedhje, por as vullnet që të zgjidhet një president me marrëveshje.

Faton Abdullahu në një prononcim për Ballkani.info, thotë se e keqja e subjekteve politike në Kosovë është se po kalkulojnë duke i vënë interesant e tyre në rend të parë, e jo ato të qytetarit dhe të Kosovës.

 Sipas tij, në këto rrethana çështje e presidentit nuk do të duhej ta dërgonte vendin në zgjedhje.

“Tashmë zgjedhjet janë opsion real. E keqja është se të gjitha subjektet po kalkulojnë ashtu që po i vënë interesat e tyre në rend të parë, e jo ato të qytetarit dhe të Kosovës. Në rrethanat në të cilat gjendemi çështja e Presidentit nuk do të duhej ta dërgonte vendin në zgjedhje. Ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë që të tejkalohet ky bllokim institucional. Por tani për tani nuk ka vullnet për të shkuar në zgjedhje, por as vullnet që të zgjedhjet një president me marrëveshje”, ka thënë Abdullahu.

 Tutje, ai ka vazhduar se klasa politike duhet ta ketë parasysh dialogun me Serbinë, në të cilin sipas tij, është duke e zhvendosur në plan të dytë.

Sipas Abdullahut, duhet të kalkulohet dialogu me Serbinë që të jenë sa më unik dhe sa më efikas, në mënyrë që të ketë sa më shumë përfitime për Kosovën.

 “Mbase në fillim të vitit të ri kur Administrata Biden merr detyrën dhe fillon nga puna, mund të priten edhe sugjerime dhe këshilla nga përfaqësuesit e kësaj administrate, dhe gjërat të zhbllokohen dhe të nisen në drejtimin e duhur. Ajo që mendoj se duhet të kihet parasysh me patjetër, e si duket klasa jonë politike po e zhvendos në plan të dytë, është se cilin do veprim që ta bëjmë në të ardhmen e afërt, duhet ta kalkulojmë ashtu që në dialog me Serbinë të jemi sa më unik dhe sa më efikas që të nxjerrim sa më shumë përfitime për shtetin tonë”, ka përfunduar Abdullahu. /Ballkani.info/