Euronews

Malazezët protestojnë kundër vendosjes së digës në lumin Çem

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Euronews i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në rajon, ku ka treguar se disa aktivistë malazezë të mjedisit janë nisur nga kryeqyteti i Malit të Zi drejt kufirit me Shqipërinë për të protestuar kundër ndërtimit të një dige në lumin Çem që rrjedh nëpër të dyja vendet.

Kjo agjenci ka shpjeguar se si qeveritë po planifikojnë ndërtimin e pothuajse tre mijë hidrocentraleve për krijimin e energjisë së rinovueshme në kuadër të marrëveshjes së Parisit.

Mirëpo kjo iniciativë ka bërë aktivistët e mjedisit të protestojnë nëpër disa vende të Ballkanit, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Në protestën e mbajtur në Mal të Zi, disa nga protestuesit mbanin pankarta ku shkruante: “Cemi është fati ynë. Mos ndërtoni diga në Cem”. Kritikët kanë thënë se digat janë duke rrezikuar lumenjtë e fundit të rrjedhshëm në Europë dhe njëri ndër ta është edhe lumi Çem”.

“Një digë në lumin me gjatësi prej 60 kilometrash tashmë është duke u ndërtuar dhe protestuesit thonë se Shqipëria nuk ka kërkuar pëlqimin e autoriteteve në Mal të Zi për realizimin e këtij projektit”.

Më tej kjo agjenci ka shtuar se investitorët kanë thënë se ndërtimi i hidrocentraleve do ta zvogëlojë varësinë rajonale në përdorimin e thëngjillit dhe kështu do të ruhet ambienti në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.