Makarona me qofte në furrë

Përbërësit:
300 g makarona rigatoni (rëndësi ka të jenë të shkurtra)
400 g salcë domatesh (salcë pa copa)
1/4 kokërr qepë
100 g mish i grirë
20 g galetë (bukë e thekur e grirë)
200 g bukë e vjetër e fortë
100 ml qumësht
1 thelb hudhër
majdanoz
1 e verdhë veze
100 g miell
50 g djathë Pecorino i grirë ose djathë tjetër kaçkavall deleje që keni
50 ml vaj ulliri
kripë e piper sipas nevojës
vaj luledielli për skuqjen e qofteve

Përgatitja: Në fillim skuqim në një tigan me vaj ulliri qepën me hudhrën. Shtojmë salcën, kripë e piper dhe e lëmë në zjarr për disa minuta, derisa salca të trashet. Ndërkohë, në një tas vëmë bukën që të zbutet në qumësht dhe më pas shtrydhim me dorë qumështin e tepërt. Në një tas tjetër përziejmë me dorë mishin, të verdhën e vezës, majdanozin, kripë e piper, bukën e shtrydhur dhe miellin. U japim formë të rrumbullakët me dorë, sa një kokërr lajthi ose sipas dëshirës. Skuqim qoftet në tigan me vaj.
Ndezim furrën në temperaturën 200°C. Ndërkohë ziejmë makaronat në ujë të valuar me kripë, por jo të zbuten shumë, dhe i kullojmë. Në një tavë të lyer me pak vaj ulliri hedhim një shtresë makarona, salcë domatesh, pak kaçkavall dhe disa qofte dhe vazhdojmë derisa të mbarojmë të gjithë përbërësit. Shpërndajmë në sipërfaqe galetë dhe pak djathë dhe e vëmë të piqet derisa të marrin ngjyrë të artë në sipërfaqe.