Macroni shpall mbylljen e tretë të Francës si pasojë e COVID-19

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka udhëzuar të mërkurën mbylljen e tretë nacionale duke përfshirë këtu edhe mbylljen e shkollave për tri javë, si masë për të luftuar valën e tretë të infektimeve me COVID-19.

Me rreth 100 mijë vdekje deri më tani dhe spitale të mbingarkuara me pacientë në Francë, presidenti Macron është detyruar që të lërë mënjanë idetë e tij që të mos shkojë me një mbyllje tjetër të vendit në mënyrë që të mbrohet ekonomia, shkruajnë mediat e huaja.

“Do të humbim kontrollin nëse nuk bëjmë diçka tani”, është shprehur presidenti Macron gjatë një adresimi për popullatën e tij, përmes televizionit.

Mbyllja e cila tashmë është duke u praktikuar për më shumë se një javë në Paris dhe në disa rajone veriore e jugore të Francës, tani do të aplikohet në tërë shtetin, për të paktën një muaj, duke filluar nga e shtuna.