Lumir Abdixhiku: Pushteti i Kurtit, arrogant

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika në drejtim tv kryeministrit Albin Kurti, duke e quajtur pushtetin e tij arrogant.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se kur po bëhen 100 ditë nga propozimi i tij që të reduktohet akciza në derivate e reduktim të TVSH-së në produktetet esenciale, kjo gjë është refuzuar.

Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se sot, dorëzojnë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë.

Postimi i tij:

Sot, bëhen 100 ditë nga propozimi ynë i parë për reduktim të akcizës në derivate e reduktim të TVSH-së në produkte esenciale. Ky propozim është refuzuar e po refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit.

Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithëmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim!

Sot, dorëzojmë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën tonë me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë. Po të vepronim me kohë, papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë, po s’vepruam sot, do të bëhet edhe më e thellë.