Lumir Abdixhiku i bashkohet në fushatë Avdullah Hotit

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti thotë se bizneset janë zhvillimi dhe adresa e punësimit të qytetarëve tanë, ndaj ata nuk duhet të luftohen, por të mbështeten dhe mbrohen.

“Bizneset nga komuna e Prizrenit, i siguruam se do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë afër për të tejkaluar sfidat e krijuara nga pandemia Covid-19. Ata e vlerësuan rolin e shtetit të tyre, ngaqë përkundër kapaciteteve të kufizuara dhe solide të buxhetit kemi arritur që të ndërtojmë dhe zbatojmë fondin emergjent të rimëkëmbjes, ku vetëm për biznese deri me tani janë shpërndarë 120 milion euro, për rreth 40 mijë biznese, me mbi 200 mijë të punësuar”, ka thënë Hoti, shkruan Ballkani.info.

Ai tutje ka shtuar se i ka garantuar ata se përkushtimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi që tani kemi edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili mundëson që deri në fund të vitit 2021 të futen në ekonomi rreth 560 milion euro, në forma të ndryshme.

“Për më tepër, së shpejti do të nxjerrim një pako të re fiskale, e cila do të jetë në mbështetje të biznesit”, ka thënë Hoti.

Në këtë parafushatë, Hotit si rrallë herë i është bashkuar edhe Lumir Abdixhiku, ish ministri i Infrastrukturës, i cili për një kohë ka mbetur i heshtur dhe larg zhvillimeve politike brenda LDK-së. /Ballkani.info/