Lul Raka tha se kryeministri dhe stafi i tij është testuar për Covid-19, nga Qeveria e demantojnë

Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Europiane kishte dyshime që ishte prekur me koronavirus gjë që detyroi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, që të vetëizolohej së bashku me stafin e tij dhe stafin e MIE’së. Më vonë ky zyrtar doli negativ ne testim dhe Kurti nuk ishte më i detyruar të vetëizolohej.

Infektologu Lul Raka kishte thënë në një emision se mostrat e kryeministrit dhe stafit të tij ishin dërguar për testim në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare në kuadër të IKSHPK’së.

“Rezultatet e analizave të kryeministrit dhe stafit të tij priten sot në mbrëmje nga ora 20:00- 22:00. Nuk e di sa persona janë. Janë disa përfaqësues edhe tek ministria e Integrimeve Europiane, ministri me stafin e vet dhe po ashtu edhe nga stafi i kryeministrit. Numrin e saktë nuk e di”, tha ai në Euronews Albania.

Por ndryshe thonë nga Qeveria. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për Express se askush nga stafi i kryeministrit nuk është testuar, e as vetë Kurti.

“Une mund ta konfirmoj se as Kryeministri as stafi i tij nuk jane testuar sot gjate dites per COVID-19. Ne, Kryeministri dhe stafi i kabinetit te tij, sot kemi qene ne vetizolim ne pritje te rezultatit te testit te zyrtarit te MIE, i cili u dyshua se mund te jete infektuar, por qe u vertetua se perfudimisht nuk eshte infektuar me COVID-19’’, tha ai.

‘’Ftojme z. Raka, kontributin e te cilet e cmojme shume, qe te qartesoje deklaraten e tij lidhur me testimin e Kryeministrit dhe kabinetit te tij, pasiqe e njejta nuk qendron.’’, shtoi Kryeziu.