Gideon Rachman

Lufta në Kosovë dhe bombardimi i ambasadës kineze në Beograd: Vizita dashakeqe e Jinpingut në Evropë

Gideon Rachman, The Financial Times

Kush është agjenti i udhëtimit i Xi Jinpingut? Nëse e bën udhëtimin tënd të parë në Evropë në gati pesë vjet, duket paksa ekscentrik itinerar që thotë Francë, Serbi, Hungari.

Por, tri ndalesat e zgjedhura nga lideri i Kinës kanë kuptim të përsosur sipas Pekinit. Për arsye strategjike dhe ekonomike, Kina dëshiron të prish unitetin e NATO-s dhe BE-së. Secili nga tri vendet që viziton Xi, shihet si levë e mundshme për të hapur të çarat në Perëndim.

Në një vizitë të fundit në Pekin, takova ekspertë të politikës së jashtme kineze të magjepsur nga bisedat franceze për nevojën që Evropa të arrijë “autonominë strategjike” nga ShBA-ja. Në një fjalim në Paris në muajin e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Evropa nuk duhet kurrë të jetë “vasal i Shteteve të Bashkuara” – gjuhë kjo e favorizuar edhe nga Kina.

Qeveria Xisë u gëzua gjithashtu kur Macroni, gjatë një fluturimi nga Pekini në vitin e kaluar, tha se Evropa nuk kishte asnjë interes të mbronte Tajvanin nga pushtimi i mundshëm kinez. Edhe pse kishte bërë përpjekje për t’i shpjeguar ato vërejtje, kinezët kanë vërejtur, me mirënjohje, se Franca më vonë i bllokoi përpjekjet për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s në Tokio. Mbajtja e vendeve të NATO-s jashtë Azisë – dhe parandalimi i Amerikës që të lidh aleancat e saj në Azi dhe Evropë – është qëllimi kryesor i politikës së jashtme kineze.

Por, kinezët rrezikojnë me keqinterpretimin e radikalizmit të ideve të Macronit, kur është fjala për NATO-n. Presidenti francez mund ta ketë përshkruar dikur aleancën si “vdekje truri”. Por, kohët e fundit ka mbajtur linjë shumë më të ashpër ndaj Rusisë – e cila vendos kufizime reale në vullnetin dhe aftësinë e Francës për t’u distancuar nga NATO-ja ose ShBA-ja.

Udhëtimi i Xisë në Evropë ka gjithashtu një komponent të fortë ekonomik. Dhe, për këto çështje, Franca është partner shumë më i vështirë. Macroni mund të mos e sfidojë Kinën mbi Tajvanin – por, është çështje tjetër e ardhmja e industrisë së makinave franceze.

Automjetet elektrike të Kinës kanë përparësi të madhe në çmim, ndaj konkurrentëve të tyre evropianë dhe amerikanë. Eksportimi i këtyre automjeteve elektrike është thelbësor për planet e Xisë për të rigjallëruar ekonominë e Kinës. Olaf Scholz, kancelari gjerman, në udhëtimin e fundit në Kinë ishte fleksibil me ambiciet e Pekinit – duke reflektuar frikën e prodhuesve gjermanë të makinave, për një luftë tregtare.

Por, me mbështetjen e fortë të Francës, Komisioni Evropian ka nisur një hetim konkurrence për automjetet elektrike kineze. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit – tashmë e papëlqyeshme në Pekin për shkak të planeve të saj për të “kufizuar” marrëdhëniet e BE-së me Kinën – i bashkohet Macronit në takimin me Xinë. Të vogla janë shanset që komisioni të tërhiqet.

Pjesa serbe e vizitës evropiane së Xisë do t’ia japë liderit kinez shansin për ta dhënë një mesazh gjeopolitik. Vizita e Xisë do të përkojë me 25-vjetorin e bombardimit të NATO-s të ambasadës kineze në Beograd, gjatë luftës në Kosovë. Kjo do t’ia mundësojë Kinës të nënvizojë argumentin – i favorizuar gjithashtu nga Rusia – se NATO është organizatë agresive dhe e rrezikshme. (NATO gjithmonë ka insistuar se bombardimi i ambasadës kineze ishte aksident që ndodhi në kontekstin e një lufte për të mbrojtur kosovarët nga agresioni serb.)

Mesazhi kundër NATO-s i Xisë mund të çmohet mirë në shtëpi, ku bombardimi i ambasadës së Beogradit ende shkakton zemërime. Rusia dhe pjesa më e madhe e jugut global do t’i pëlqejnë gjithashtu mesazhet anti-perëndimore. Por, t’u thuash evropianëve se ata janë vasalë të Amerikës dhe se NATO është organizatë e rrezikshme, ky është mesazhi që shumica e evropianëve do ta konsiderojnë fyes në rastin më të mirë – dhe kërcënues në rastin më të keq. 30 vendet evropiane që i janë bashkuar aleancës e dinë se me Rusinë që po zhvillon një luftë agresioni në kufijtë e tyre, NATO-ja nevojitet më shumë se kurrë.

Ndalesa e tretë e Xisë është Hungaria – e cila është anëtare e NATO-s. Megjithatë, lideri i vendit, Viktor Orbán, e ka pozicionuar veten si zëri më pro-rus brenda aleancës perëndimore – dhe po e kryen një shërbim të ngjashëm për Kinën. Hungaria ka bllokuar disa rezoluta të BE-së që kritikojnë Kinën.

Pasi e detyroi Universitetin e Evropës Qendrore – një institucion liberal perëndimor – që të largohet nga Hungaria, Orbáni ka ftuar Universitetin Fudan të Kinës që të ngrihet në Budapest. Në një vizitë të fundit në Pekin, ministri i Jashtëm i Hungarisë hodhi poshtë idenë se Kina ka “mbikapacitet” të EV-ve [makinave elektrike].

Ka një fitim të drejtpërdrejtë për Hungarinë në marrjen e këtij pozicioni, sepse të paktën një prodhues kinez i automjeteve elektrike po planifikon të përdor vendin si bazë prodhimi. Nëse zgjidhja e kompromisit për EV-të është që firmat kineze të bëjnë më shumë nga prodhimi i tyre në Evropë, atëherë Hungaria është e pozicionuar për të përfituar.

Por, vendimi i Xisë për të vizituar Serbinë dhe Hungarinë do ta bëjë të vështirë bindjen e shumicës së evropianëve të tjerë se ai vjen si mik. Serbia ndodhet jashtë BE-së dhe NATO-s, ndërsa Hungaria i ka minuar të dy organizatat nga brenda. Të dy vendet janë miqësore me Rusinë. Fakti që Xi do të kthehet në shtëpi për të pritur Vladimir Putinin në Pekin, menjëherë më pas, do të thellojë shqetësimin evropian për qëllimet reale të Kinës.

Kuptimi i vetë Xisë për mënyrën sesi Evropa e sheh Rusinë, nuk ka gjasa të përmirësohet duke kaluar kohë me njerëz të jashtëm – si Orbáni dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Agjenti i udhëtimit i udhëheqësit kinez duhet të kishte dalë me një itinerar më sfidues. /Telegrafi