Legjenda e kombit

Lorik Cana rrëfen të ardhmen e tij…

Në vigjiljen e një përballjeje emocionuese që rikthen imazhe të papërsëritshme në karrierën e tij futbollistike, Lorik Cana u kthye në vëmendjen e mediave para sfidës mes Marsejës dhe Lacios.

Dy skuadra ngjyrat e të cilave ka mbrojtur ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, do të përballen këtë të enjte në stadiumin “Velodrom” dhe për legjendën kuqezi, nuk ka dyshime mbi mbështetjen.

“Nuk ka asnjë paqartësi në tifozllëkun tim. Unë jam dhe do të mbetem një mbështetës i madh i olimpikut të Marsejës. Do doja të isha në stadium por kam një aktivitet bamirësie. Por Lacio më ka përfshirë në protokollin e ndeshjes së kthimit dhe do të jem në stadiumin Olimpiko”, tha Lorik Cana ish-futbollist.

Legjenda e futbollit shqiptar konfirmoi se shumë shpejt do të bëjë një hap të madh në karrierën jashtë fushës, por sërish të lidhur me sportin që do më shumë.

“Ka disa negociata për blerjen e një klubi, por nuk mund të flas ende për këtë. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për fituar eksperiencë. Duhet të shoh nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe më pas mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv. Të qenit trajner nuk më ka tërhequr kurrë”, tha Cana.

Cana vlerësoi gjithashtu Marsejën si një skuadër pretendentë për të fituar Europa Ligën, pavarësisht komplikimit të rrugëtimit pas rezultateve negative.