Raportimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe Bordit të “Trepçës”, lidhur me funksionalizimin e kësaj ndërmarrjeje, në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka dështuar për mungesë të kuorumit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një postim në Facebook ka sqaruar arsyjet pse nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje.

“Isha në vizitë në Gjilan dhe Dardanë, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave dhe vizitova Ndërmarrjen Publike Hidromorava”, tha ai.

Postimi i plotë

Sa për korrektësi dhe informim të drejtë, mbledhja e komisionit për Trepçën ishte përcaktuar për dje (të Martën) në ora 11, gjë që e kisha konfirmuar dhe isha i gatshëm të raportoj për Trepçën, siç kam qenë i gatshëm për çdo temë që mbuloj. Komisioni me ka lajmëruar që mbledhja anulohet dhe ka kërkuar që takimi të bëhet për sot. Unë, menjëherë i kam lajmëruar që nuk më përshtatet për sot për arsye të planifikimit të mëhershëm të agjendës që ishte vizita në Gjilan dhe Dardanë, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave dhe vizitova Ndërmarrjen Publike Hidromorava.

Është jo e saktë të proreklamohet se kam refuzuar raportimin pranë komisionit. Jam i gatshëm për secilin sektor që mbulojë të raportoj e të mbahem përgjegjës sot e çdo ditë. Megjithatë, qytetarët duhet të dinë të vërtetën dhe pamundësinë e komisionit për të organizuar mbledhje në përputhje me agjendën e të gjithëve.

Trepça është në rrugë për t’u finalizuar!

Kuvendi është përgjegjës për të miratuar statutin sipas ligjit për Trepçën, duke i përfshirë edhe komentet dhe sugjerimet e grupeve punuese të cilat janë themeluar nga Qeveria e Kosovës pas konsultimeve edhe me Kuvendin.