Llapi e fiton derbin përballë Prishtinës (Video)

Pas fitores së madhe 4-0 ndaj Lirisë, Prishtina është shokuar nga Llapi, duke pësuar humbje 1-0.

FC Prishtina rrezikon seriozisht të mbetet duarthatë edhe këtë edicion dhe të mos e fitojë titullin e kampionit as pas gjashtë vjetëve.

Kjo për shkak se bardhekaltrit e kanë nisur shumë dobët sezonin pranveror duke i humbur tri nga katër ndeshjet e para.

Sot skuadra e Mirel Josës e ka humbur derbin e javës së 20 në Ipko Superligë në Podujevë si mysafirë i Llapit, i cili po ashtu kërkon titullin e kampionit.

Llapjanët fituan me rezultat minimal 1-0 duke mbetur kështu në luftë për titullin e kampionit, ndërsa humbjen më të vështirë Prishtinës ia ka bërë fakti që golin e disfatës ia shënoi ish futbollisti i saj, Ahmet Januzi në minutën e 47’.

Humbja e tretë në katër ndeshje në vitin 2019, Prishtina duket se është në krizë, për shkak se është eliminuar edhe nga Kupa e Kosovës dhe rivali i tij, Feronikeli, po tregohet shumë më i pjekur në luftën për titull.

Kështu, pas kësaj humbje, Prishtina ka mbetur pesë pikë prapa liderit, Feronikelit, që e mposhti 1-0 KEK-un.

Pas xhiros së 20, Feronikeli ka grumbulluar 48 pikë, kurse Prishtina mbetet në kuotën e 43 pikëve dhe pritet një derbi i zjarrtë mes këtyre dy skuadrave në mesjavë.

Kurse Llapi tani i është afruar në 2 pikë Prishtinës, gjendet në pozitën e tretë me 41 pikë.