Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar vitin e fundit politik në Kosovë, duke e cilësuar si “të mbrapshtë” dhe më të vështirin pas Pavarësisë, raporton GazetaBlic.
Ai vlerëson se opozita dhe PDK-ja mund të kishin vepruar më mënçur, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit të 10-të duhet të jetë mësim për egoistët dhe profiterët politikë.
Lladrovci uroi që Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu të respektojë heronjtë e luftës dhe paqes, si dhe që PDK-ja të mos përsërisë gabimet e së kaluarës, duke shtuar se lirimi i heronjve nga akuza absurde dhe vizioni i PDK-së do të sjellin energi dhe qartësi për të ardhmen e Kosovës.
Postimi i plotë
E morën vesh të gjithë se kaloi një “vit i mbrapshtë” për Kosovën, viti më i rëndë pas Pavarësisë tonë.
Kontributi për këtë “politikë”, nuk mund t’i hiqet opozitës e as PDK-së, sepse, mund të bënte veprime politike shumë më të mënçura.
Megjithëse një kandidaturë nuk kaloi për një vit, tashmë, u votua Albulena, e njëjta kandidaturë pas një viti të humbur, çka tash?
Gjeneralët pas luftës nuk kanë lavdi, as gjykimi pas ngjarjeve, por, seanca konstituive e përbërjes së 10-të kuvendore, duhet të jetë mësim për egoistët e profiterët politikë.
Një vit të humbur nuk ia kemi pasur borxh askujt.
Uroj që Kryeparlamentarja t’i mbaj fjalët për heronjtë tanë të luftës e paqes, ndërsa PDK uroj të mbaj shënim e të mos i përsëris gabimet për të cilat populli thotë “për inati të resë më vdektë djali”.
Presim lirimin nga akuzat absurde të heronjve tanë të luftës dhe paqes, vizioni i PDK-së si konstantë e shtetit dhe Kosova do të marrin energji të reja dhe qartësi për sot e për nesër!







