Lista Serbe tregon se a do të bashkëpunojë me opozitën për rrëzimin e Qeverisë

Sot në Beograd, përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën.

Pas takimit të përfaqësuesve politikë serbë të Kosovës me presidentin e serb, Aleksandër Vuçiq, Rakiq theksoi se kryetarët e komunave janë gati të largohen nga institucionet, nëse nuk ka mirëkuptim të Prishtinës.

Sipas Rakiq, fitorja e Listës Serbe është fitorja e unitetit serb.

“Në takimin e sotëm, ne falënderuam Presidentin Vuçiq për përkushtimin e tij, në gjithçka që po bën ai për të na e bërë më të lehtë jetesën në Kosovë”, tha Rakiq.

Mes tjerash aty u tha se janë të gatshëm të japin dorëheqje përsëri nga postet e kryetarëve të komunave si dhe të bashkëpunojnë me secilën parti në Kosovë për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Lista Serbe nuk do të kthehet në institucionet e Kosovës dhe nuk mbështet qeverinë në Prishtinë, por është e gatshme të mbështes secilën parti politike, që organizon iniciativa për rrëzimin e qeverisë së Ramush Haradinajt”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriq ka folur edhe për qëndrimet e opozitës kosovare të cilët thonë se nuk dëshirojnë që ta rrëzojnë Qeverinë me votat e Listës Serbe.

“Ne provojmë që të jemi fer dhe një partner korrekt, me të gjithë që bisedojmë”, ka thënë ndër të tjera Gjuriq.

Teksa ka folur për zgjedhjet në veri, Gjuriq ka thënë edhe një herë se përmes tyre u parandalua edhe një herë shtrirja e pushtetit të shqiptarëve në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Këto deklarime të Gjuriq, vijnë pas mobilizimit të opozitës kosovare për rrëzimin e Haradinajt nga pushteti përmes një mocioni votëbesimi.