Lista Serbe dakordohet me Vuçiqin për veprimet kundër taksës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, do të takohet sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka njoftuar përfaqësuesit serb se sot do të udhëtoj për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka bërë të ditur Rakiq, takimi ka për qëllim gjetjen e një zgjidhje për hapat e mëtutjeshëm si përgjigje ndaj krizës për shkak të taksës doganore në 100 për qind për produktet e Serbisë.

Në një prononcim për “Tanjug”, Rakiq ka thënë se serbët e Kosovës, do të “luftojnë” vetëm përmes protestave paqësore dhe jo të dhunshme ndaj siç tha ai, shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Prishtina.

Ndryshe edhe gjatë ditës së sotme serbët e veriut kanë paralajmëruar mbajtjen e protestës kundër taksës 100 për qind të taksës doganore ndaj mallrave serbe dhe kudnër arrestimeve të serbëve në veri të Mitrovicës.