Lirohet nga burgu banda e fajdeve!

Një grup prej pesë personave që dyshohet të jenë marrë me fajde, janë liruar nga burgu.

Burime të “Gazeta Blic” brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se atyre i është ndërruar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.

Në mesin personave të liruar nga burgu është edhe Anëtari i degës së AAK-së në Kodrën e Trimave në Prishtinë, Dalip Brahimi dhe Lulzim Berisha, kryetar i tifoz-grupit “Dardanët”.

Përveç tyre, edhe Rrahim Berisha, Ismet Salihu dhe Bujar Gërbeshi, janë dërguar në arrest shtëpiak, megjithëse Gjykata Themelore në Prishtinë ka poseduar prova të mjaftushme materiale që implikojnë këtë grup në rastet e fajdeve.

Në opinion, ky grup personash janë të njohur si “të rrezikshmit e Vranjevcit”.

Dalip Brahimi, siç mëson Gazeta Blic është person i afërt me Enver Sekiraqen.

Madje, ai kishte mbetur i plagosur në incidentin me armë në të cilin ishte i përfshirë Sekiraqa, pasi që ai ishte bashkë në automjetin e njëjtë me të, kur vetura u gjuajt me armë.

Brahimi ka qenë i akuzuar edhe më parë në një rast për pastrim parash me toka në Çagllavicë, përfshirë Mehmet Prishtinën, shoferin e Azem Sylës, Arton Vilën dhe biznesmenë të lidhur me PDK-në, siç është Bejtush Zhugolli.